LAJMET E MBRËMJES

Në ditën e fëmijëve kujtohen ata që ishin viktimë e gjenocidit serb

Në Akademinë Përkujtimore të mbajtur në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, për nder të mbi 1 mijë e 400 fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, janë shpalosur rrëfime të të mbijetuarve. Përmes këtij organizimi të shoqatës “Yjet që nuk vdesin”, është vënë në fokus rëndësia e kujtesës historike dhe është kërkuar ndërtimi i një memorial, dedikuar për këta fëmijë

Mes 1432 fëmijëve të vrarë në Kosovë gjatë luftës së fundit, 22, më së shumti, ishin me emrin Burim. 

Kjo e dhënë është zbuluar të dielën, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, për çka edhe është organizuar një akademi përkujtimore në Prishtinë, për ata që u vranë nga forcat e Serbisë.

Akademia është organizuar nga shoqata “Yjet që nuk vdesin”, e në të u shpalosën rrëfime për dhunën dhe vrasjet e kryera ndaj fëmijëve shqiptarë.

Sabernete Nuraj ishte vetëm 9 vjeç kur u plagos në prillin e vitit 1999, kohë iu vra vëllai i saj 4-vjeçar.

“Disa serbë më pyetën se si quhet motra jote e unë në atë moment ia ndryshova emrin e iu thash Besiana, sepse e dija se emri Liridona mund të jetë rrezik për jetën tonë. Ishim të plagosura, të  vetme dhe pa shpresë, e nuk kishim as fjalë për të treguar frikën, por sytë tanë flisnin gjithçka”, ka thënë Nuraj.

Në akademi ka folur edhe Edisona Deliu, e cila ishte 14-muajshe kur u plagos në kokë nga një granatë e hedhur nga ushtria serbe.

“Që në fëmijëri më është dashur të përballem me një ngjarje që më ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Në moshë të vogël e pa e kuptuar ende mirë jetën m’u desh që të përballem me vdekjen dhe u bëra cak i një granate e hedhur nga okupatori serb dhe ajo nuk e goditi vetëm kokën e trupin, por edhe ëndrrën, fëmijërinë e pafajësinë time”, ka rrëfyer Deliu.

Veprimtarja Hanëmshahe Ilazi, ka thënë se fëmijët u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.

Ajo e ka përshkruar dhimbjen e thellë që ka përjetuar për fatin tragjik të fëmijëve.

“Vetëm pse ishin gjallë dhe shqiptarë i vranë 1432 fëmijë. Lufta si teorema më e ashpër është e dëmshme por kur ajo që prek fëmijët tanë është kasioni më shfarosës këtë e kemi përjetuar ne shqiptarët”, ka deklaruar ajo.

Në këtë akademi përkujtimore janë ndarë edhe fotografi për familjarët e disa prej fëmijëve të vrarë, teksa është kërkuar nga institucionet shtetërore që të ndërtohet një memorial përkujtimor për të gjithë fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë.