Togeri i Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, nën dyshimin se i ka dërguar informata Serbisë. Gjatë bastisjes së shtëpisë së tij të enjten janë gjetur disa telefona e edhe dokumente të klasifikuara të Policisë. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky aksion e rrit nivelin e sigurisë në vend
Në ndalim për 48 orë është dërguar të enjten togeri i Policisë Kufitare, Bojan Jevtiq, i cili dyshohet për spiunazh për Serbinë.
Në Prokurorinë Speciale kanë bërë të ditur se pas aksionit të bastisjes, të ndërmarrë në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe me Inspektoratin Policor (IPK), në shtëpinë e policit që ka punuar në pikën kufitare Dheu i Bardhë janë gjetur dokumente të klasifikuara.
“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, në një fshat të Kamenicës, janë sekuestruar prova materiale, siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, USB, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova të tjera, të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore... Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, brenda afatit ligjor në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, do ta parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, kanë njoftuar në Prokurorinë Speciale.
Pas arrestimit të policit me kombësi serbe ka reaguar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai i ka përgëzuar AKI-në, IPK-në dhe Prokurorinë për aksionin “shumë të rëndësishëm”.
“Më shumë detaje nuk mund t’ju jap, por ky aksion e rrit nivelin e sigurisë në Republikën e Kosovës”, ka theksuar ai.
E, në rrjetin social “Facebook”, Sveçla ka shkruar se rrjeti i spiunazhit që Serbia e ka në Kosovë është duke u çmontuar, teksa e ka theksuar rëndësinë e koordinimit të institucioneve mes vete.
“Profesionalizmi, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i institucioneve të sigurisë të Republikës së Kosovës edhe ketë herë ka treguar se është thelbësor në arritjen e rezultateve në luftën ndaj veprimtarive të kundërligjshme, në mënyrë specifike atyre të rrezikshmërisë së lartë, që shpeshherë burimin e kanë në strukturat e inteligjencës serbe. Republika e Kosovës, si asnjëherë më parë, po e forcon sovranitetin, integritetin dhe rendin kushtetues, dhe në këtë mision të shenjtë edhe përcaktimi ynë për përkrahje të gjithanshme të institucioneve të sigurisë ka treguar se është esencial në këtë drejtim”, ka shkruar ai.
Sveçla e ka përmendur si sukses të institucioneve edhe dënimin e parë për spiunazh të ish-policit të Kosovës, Aleksandar Vllajiq, i cili e ka pranuar fajësinë për akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale.
Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se dyshimet e institucioneve janë që Jevtiqi i ka shërbyer Agjencisë për Inteligjencë të Sigurisë së Serbisë, e cila njihet me shkurtesën BIA.
IPK-ja ia ka rekomanduar Policisë suspendimin e Bojan Jevtiqit, që në momentin e arrestimit.
Jevtiqi e ka mbajtur pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikëkalimin kufitar, i cili ndodhet në rajonin e Gjilanit.
Krahas tij, në paraburgim nën dyshimet për spiunazh janë edhe pesë persona, ndër të cilët edhe ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Muharrem Qerimi.
Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim, nëse i dyshuari shpallet fajtor.
Ekspertët e sigurisë e kanë vlerësuar spiunazhin si kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës, teksa kanë theksuar se arrestimet e kohëve të fundit vetëm sa e nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.