I akuzuari kryesor Naim Murseli është deklaruar sërish i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt, në vitin 2023. Në seancën e parë gjyqësore për rastin, trupi gjykues e miratoi kërkesën e mbrojtjes së Murselit që atij t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik. E prokurorja e Shtetit theksoi se ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se të akuzuarit i kanë kryer veprat që u vihen në barrë
Të akuzuarit kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të 2023-tës, Naim Murseli, i është caktuar ekzaminimi psikiatrik gjatë seancës së parë gjyqësore për rastin.
Avokatja e Murselit, Teuta Zhinipotoku, e justifikoi kërkesën e shtruar, duke thënë se klienti i saj ka shpërfaqur gjendje psikiatrike të paqëndrueshme. Murseli është bashkëshorti i viktimës.
“Gjatë vizitës sonë në Dyz, gjatë bisedave me të njëjtin, kemi hasur, si mbrojtës, kemi vërejtur një gjendje labile, jo të qëndrueshme, mendime për të kryer vetëvrasje, andaj si mbrojtje kemi konsideruar se është e domosdoshme që të sigurohet mendimi i ekspertëve, siç është propozuar ekzaminim psikiatrik”, ka thënë avokatja Zhinipotoku.
Propozimi u miratua nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku, pasi për këtë nuk pati kundërshtim nga mbrojtja e palës së dëmtuar.
“Trupi gjykues pas këshillimit merr aktvendim, aprovohet propozimi i mbrojtëses së pandehurit Naim Murseli për ekzaminim psikiatrik, që të dërgohet për ekzaminim psikiatrik, do të urdhërohet Instituti që brenda dy javëve ta realizojë këtë ekzaminim”, ka bërë të ditur Dërmaku.
Në seancë, prokurorja e shtetit, Javorka Perlinçeviq, paraqiti fjalën hyrëse në të cilën tha se Prokuroria posedon prova të mjaftueshme për të vërtetuar se të akuzuarit i kryen veprat që u vihen në barrë.
“Pas provave të mjaftueshme të mbledhura dhe gjatë krahasimit të tyre, sipas prokurorisë, ekziston dyshimi se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Dyshimi i bazuar i prokurorisë është mbështetur në një numër të madh të provave materiale, deklaratave të të akuzuarve atëherë si të pandehur të cilat i kanë dhënë në prokurori”, ka deklaruar Perlinçeviq.
Pas kësaj, tre të akuzuarit, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë deklaruar rreth fajësisë.
“Deklarohem i pafajshëm. Nëse vërtetohet aktakuza atëherë unë do të kërkoj burgim të përjetshëm”, është shprehur Murseli.
Fjalën hyrëse të prokurores e kundërshtuan avokatët e të akuzuarve, ndërsa e mbështeti mbrojtësi ligjor i palës së dëmtuar, Leutrim Syla, tek kërkoi dënim meritor për të akuzuarit.
“Konsideroj që ky shqyrtim gjyqësor do t’i japë përgjigje të gjitha dilemave të ngritura dhe të bashkëndiera nga populli i Kosovës, për të kuptuar pse Liridona Ademaj u privua nga jeta. Duhet t’i jepet përgjigje babait të Liridonës - pse Naim mundesh me fëmijët me dalë nga vetura e Dona mbeti brenda, pyetjes së fëmijëve të Liridonës, pse babi e la hajnin me ia ba nënës bam?”, ka thënë Syla.
Për vrasjen e Liridona Ademajt, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj Murselit, Plavës, Kokallës dhe Dodajt më 15 janar të 2025-tës. Ademaj u vra në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, ndërsa rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë grabitjes.