I akuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli, bashkëshort i saj, në dëshminë e tij, ka thënë se nuk e ka paguar e as ndihmuar të akuzuarin tjetër Granit Plava për ta vrarë Liridonën. Para trupit gjykues ai ka dhënë versionin e tij si ndodhi e gjithë ngjarja në natën tragjike, më 29 nëntor 2023
As s’e ka paguar e as ndihmuar të akuzuarin Granit Plava për ta vrarë Liridona Ademajn, ka thënë i akuzuari Naim Murseli gjatë mbrojtjes së tij, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në natën kritike, ai tha se gjatë kthimit për në shtëpi një person i maskuar e i armatosur ua preu rrugën e më pas, sipas tij, e vrau Liridonën, bashkëshorten e Murselit.
“Liridona e hap dritaren në gjysmë a s’e di sa, edhe unë i kisha paratë në xhep se kuletë kurrë s’kam mbajtë. Paratë që i kisha dhe telefonin ia dha. Telefonin Liridona ia jep të vetin, edhe paratë sa i kishte - disa qindra euro, jo më shumë”, ka deklaruar Murseli.
Gjithë ngjarjen, Murseli tha se fillimisht e pa si grabitje dhe mendoi se synimi i të maskuarit ishte marrja e veturës.
“Kam hapë derën e fëmijëve. Fëmijët kanë nga edhe unë pas tyre. Kam mendu se kur të largohem unë, ai ia liron rrugën Liridonës, e merr kerrin. Pas disa sekondash kam dëgjuar krismën. Mu m’u duk si krisma. Në atë moment kam mendu se po gjuan në drejtim tonin, e s’kam guxu m’u kthy”, ka thënë ai.
I pyetur nëse e ka kapur me dorë Liridonën që të mos lëvizte në momentin e fundit të jetës së saj, siç ka konstatuar eksperti mjeko-ligjor, Murseli e mohoi.
“Ju betohem në dy fëmijët që i kam se Naim Murseli, as në makinë s’ka qenë kur është vra Liridona. Kjo është ideja e rikonstruktimit të vendit të ngjarjes”.
Gjatë dëshmisë, i akuzuari u shpreh se armën nga i akuzuari tjetër Tom Dodaj e ka blerë, siç tha ai “spontanisht”, e jo për të kryer vrasje.
E për incizimet ku shihet i akuzuari Granit Plava në restorantin ku Murseli darkoi me gruan Liridonën dhe dy fëmijët pak orë para ngjarjes tragjike, ai tha se nuk e ka parë të pandehurin tjetër.
“Më 29 nëntor, unë nuk e kam pa Granitin as në restorant, as jashtë, as makinën, në asnjë moment. Ju betohem. Ajo video s’ka lidhje me ndonjë shenjë apo diçka komplet absurd”, ka deklaruar ai.
Gjatë mbrojtjes së tij, Murseli foli edhe për raportet që pati me të ndjerën.
“Marrëdhënia jonë ka qenë e mirë, e lumtur, Liridona ka qenë një grua e mrekullueshme, një nënë e përkushtuar dhe një bashkëshorte e devotshme”.
Mbrojtjen Murseli do ta vazhdojë edhe gjatë muajit të ardhshëm.
Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.
Sipas aktakuzës, Murseli e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për përfitim financiar, duke i premtuar Plavës 30 mijë euro nëse e kryen atë. E Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën “Vrasje e rëndë”.
I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, i cili ua shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro, ka pranuar fajësinë. Themelorja e dënoi me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia uli në tre vjet.