LAJMET E MBRËMJES

Murati: Pa buxhet të miratuar, vështirësitë financiare do të përcillen edhe në 2026-n

Mbi 4 milionë euro i ka ndarë të enjten Qeveria në detyrë për Radiotelevizionin e Kosovës, punëtorët e së cilit nuk kanë marrë pagë rreth një muaj dhe prej ditësh kanë hyrë në grevë. Pas mbledhjes së ekzekutivit, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar për problemet me të cilat shteti do të përballet në fillim të vitit të ardhshëm, në rast të mosmiratimit të buxhetit

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar se nga viti i ardhshëm institucionet shtetërore do të përballen me vështirësi financiare sikurse ato aktualet në komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin-Potokut, në të cilat nuk është miratuar buxheti për vitin 2026.

Murati ka thënë se në mungesë të buxhetit të miratuar, mjete në masë të një të dymbëdhjetës së buxhetit të sivjetmë mund të shfrytëzohen vetëm për muajt janar e shkurt të vitit të ardhshëm.

“Kjo 1/12 është tejet kufizuese dhe duhet të shohim se cilat janë mundësitë, nëse ka ndonjë mundësi, sepse do të jetë problem. Pra, edhe me ekzekutimin e shpenzimeve të tjera është hapësirë goxha e tkurrur sa i përket aspektit fiskal, në mungesë të buxhetit. Ju po i shihni komunat që nuk kanë buxhet të miratuar se si po detyrohen, si po përballen me probleme financiare, për shkak të buxhetit apo hapësirës së tkurrur fiskale. E njëjta do të ndodhë në nivel shtetëror”, ka thënë Murati në një konferencë shtypi të enjten, të mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë.

Për situatën e paralajmëruar ai i ka lënë fajtore Partinë Demokratike (PDK), Lidhjen Demokratike (LDK), Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA-n, deputetë të të cilave nuk kanë marrë pjesë në seancën e Kuvendit ku synohej miratimi i buxhetit për 2026-tën.

E Qeveria të enjten ka ndarë mbi 4 milionë euro për të mbuluar pagat e punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), të cilët shkaku i mosekzekutimit të tyre kanë hyrë në grevë prej disa ditësh.

Këtë zgjidhje për punëtorët e RTK-së kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka kualifikuar improvizim të detyrueshëm.

“Mjetet e nevojshme po ndahen nga kategoria e kursimeve. Pra, kjo zgjidhje e sotshme apo më mirë të themi kjo mënyrë e tanishme është veçse një improvizim i detyruar, pas përpjekjeve tona të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës për ta miratuar buxhetin për Radiotelevizionin e Kosovës”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se ka shpresuar që zgjidhja e duhur do të gjendej pas konstituimit të Kuvendit.

Ministri Murati ka sqaruar se mjetet financiare për RTK-në janë marrë nga kursimet e organizatave të tjera buxhetore.

“Na duhet të gjendet një zgjidhje e përhershme, sepse nuk mund të ketë situata të tilla ku RTK-ja, transmetuesi publik i themeluar nga Kuvendi i Kosovës kalon në këso sfida për fajin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, konkretisht të disa partive në Kuvend që refuzojnë ta kryejnë detyrën e tyre dhe nuk do të duhej të ishte fare barrë e qeverisë që të gjejë improvizime të tilla sa herë që partitë sillen me papërgjegjshmëri totale dhe nuk e kryejnë detyrën e tyre”, ka thënë ai.

Në pritje të ndarjes së buxhetit nga Qeveria është edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), së cilës i duhen mbi 11 milionë euro për t’i organizuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Murati ka thënë se për këtë çështje janë duke u shqyrtuar mundësitë në dispozicion.

“Me ndarjen e buxhetit për pagat e RTK-së tash e kemi hapësirën më të zvogëluar për të gjetur buxhetin për KQZ-në, por megjithatë duhet të shohim që të gjejmë zgjidhje”, ka theksuar ai.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e së enjtes ka miratuar edhe ndarjen e 250 mijë eurove për përfaqësuesen e Kosovës në futboll, pas suksesit të shënuar në rrugëtimin drejt kualifikimit në Botërorin e 2026-tës.

Kryeministri në detyrë ka premtuar shpërblim prej 500 mijë eurosh për përfaqësuesen në rast të fitores kundër Sllovakisë në ndeshjen e playoffit, e në rast të kualifikimit në Kupën e Botës është zotuar se do t’i ndajë shpërblim prej 1 milion eurosh.

Mjete në vlerë të mbi 23 mijë eurove Qeveria në detyrë ka ndarë edhe për klubin e futsallit. 26 mijë euro të tjera ka ndarë për nxënësit që do të përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën e Shkencës dhe Kodimit, e cila do të mbahet në Orlando të SHBA-së.