Seanca e së enjtes e Kuvendit të Kosovës ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit. Dy marrëveshje ndërkombëtare kanë mbetur pa u miratuar, pasi deputetët e PDK-së refuzuan të marrin pjesë në votim. Derisa shumica parlamentare e akuzoi PDK-në për dështim të seancës, në këtë parti kanë thënë se përmbajtja nga votimi është bërë në shenjë indinjate për mënyrën se si mazhoranca po e udhëheq punën e Kuvendit. Krahas dy marrëveshjeve, pa shqyrtim dhe pa miratim kanë mbetur edhe 15 pika të tjera që ishin në rend të ditës
Mungesa e kuorumit prej së paku 80 deputetësh e ka dështuar të enjten miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat ishin në rend të ditës në seancën plenare të Kuvendit.
Për pasojë, ka dështuar edhe seanca e Kuvendit, duke i lënë pa shqyrtim dhe pa miratim edhe 15 pika të tjera nga rendi i paracaktuar i ditës, mes të cilave ishin edhe një numër projektligjesh.
Ishin deputetët e Partisë Demokratike (PDK) ata që nuk morën pjesë në votimin e marrëveshjes ndërkombëtare për projektin që ka të bëjë me zhvillimin e sektorit të energjisë, përkatësisht përmirësimin e rrjetit të transmetimit, e po kështu edhe për marrëveshjen për Ngrohtoren solare të Prishtinës.
Mospjesëmarrja e tyre e nxiti revoltimin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili si rrallëherë është përfshirë në debat me shefin e deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri. Ai e akuzoi Tahirin se e bart një pjesë të fajit për dështimin e seancës të së enjtes, teksa ka theksuar se në mbledhjen e së hënës të Kryesisë, të gjitha grupet parlamentare janë deklaruar se do të sjellin deputetët në seancë për ta mundësuar shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Konjufca e kualifikoi jokorrekte dhe të pandershme qasjen e PDK-së.
“Unë konsideroj që kjo nuk është aspak e ndershme. Këto fjalë ke mundur të m’i thuash në mbledhje të Kryesisë. Të më kishit thënë kryetar harroje PDK-në, asnjë votë nuk e ke për marrëveshje ndërkombëtare, unë nuk do ta thirrja këtë seancë. Të ma kishe treguar të vërtetën, unë sinqeritet po kërkoj, kjo është arsyeja”, ka thënë Konjufca.
Tahiri iu kundërpërgjigj duke pretenduar se qëndrimet politike të partisë së tij nuk mund të përcaktohen nga askush në Kryesi. Ai ka shtuar se këtë vendim politik partia e ka marrë për shkak të pakënaqësisë me veprimet e mazhorancës.
“Ne thjesht, në shenjë indinjate në krejt këtë dështim që jeni duke ia bërë Kuvendit të Kosovës, krejt këtë neglizhencë, nuk do të marrim pjesë në votim të këtyre marrëveshjeve”, është shprehur ai.
Me Tahirin ka polemizuar edhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. Ajo e ka akuzuar deputetin e PDK-së se qëllimshëm nuk po e lejon krijimin e kuorumit vendimmarrës.
“Sot kryetari e konstatoi numrin 86 të deputetëve në sallë, të pesë grupeve parlamentare pjesëmarrëse, përderisa nën instruksionet tuaja, deputetët e PDK-së e lëshuan sallën dhe ishin jashtë në bufe 5 ose 6 prej tyre. Rrjedhimisht ra numri në 75, 74 pastaj. Ne të gjithë komplet me qenë mbi 63, nuk mundemi me qenë për marrëveshje ndërkombëtare, 80 duhen”, ka thënë ajo.
Kësaj akuze Tahiri i është përgjigjur me kundërakuzë. Ai ka thënë se shumica parlamentare është e paaftë dhe se tashmë është mbledhur një numër i madh pikash të rendit të ditës që Kuvendi nuk ka mundur t’i shqyrtojë, shkaku i mungesës së deputetëve që i përkasin partisë në pushtet.
Ai ka shprehur kritika të shumta edhe në drejtim të Kusari-Lilës.
“Zonja Kusari, po të ishe ti shefe e grupit parlamentar të mazhorancës, siç do të duhej të jesh, besoj që këto pikat e 20 prillit ishin harruar. Pra, problemi i madh që e ka Kuvendi i Kosovës jeni ju”, ka thënë ai.
Në seancën e së enjtes, në rend të ditës kanë qenë pika të papërfunduara nga nëntë seanca të kaluara.