Gjykata Themelore në Ferizaj për ditën e dytë rresht ka marrë në pyetje dëshmitarët në çështjen penale kundër të pandehurve, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, lidhur me vdekjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani, në gusht të vitit të kaluar.
Të enjten, dëshmuan dy specialistë mjekësorë, të cilët janë marrë me rastin në ditën tragjike për Osmanin.
Eksperti mjekoligjor, Naim Haliti, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka thënë se pacienti është dërguar në Emergjencën e Ferizajt pa shenja jete. Sipas tij, viktima kishte përjetuar dhunë të vazhdueshme dhe kishte disa thyerje të eshtrave në trup, për çka edhe ka përpiluar raport atë ditë.
“Vdekja e së ndjerës ka ardhur si pasojë e shokut - hemorragjik, asfiksisë mekanike si dhe atë traumatike, të cilat kanë ardhur si pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme si dhe të komprimimit të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes”, ka theksuar ai.
Halitit i janë bërë edhe një varg pyetjesh nga avokatja mbrojtëse e të akuzuarit Arbër Sejdiu, Arbënora Shefkiu, ndërkaq ai ka shpjeguar se nga e ndjera, janë marrë edhe strishot për analiza toksikologjike.
Sipas tij, viktima kishte përdorur një analgjetik për trajtim te dhimbjeve para se të vdiste.
Avokatja mbrojtëse, Arbënora Shkefkiu, e ka pyetur Halitin se çka do të thotë “Tetra Hidro Kanabinan”.
“Kjo është një drogë dhe një përbërës i kanabisit apo një masë e drogës e cila është gjetur në kuadër të provës biologjike”, është shprehur Haliti.
Ndërkohë, mjeku i cili e kishte pranuar viktimën në emergjencën e Ferizajt, Burim Maloku, ka thënë se Marigona Osmani ishte dërguar nga dy persona, të cilët më pas kishin ikur.
“E ndjera është sjellë nga dy persona, pa shenja jete dhe ne kemi filluar me ato procedura, me terapi dhe krejt ekipi me shpejtësi është mbledhur aty me përgatitje të aparaturave, mirëpo menjëherë si iu kam ofruar pacientes e kam parë se është pa shenja jete dhe ka lënë përshtypjen se vdekja ka ndodhur më përpara dhe nuk ishte e çasteve të fundit. Kam dal në korridor për t’i pyetur ata dy djemtë se kur ka ndodhur kjo, por ata kishin qenë duke dalë nga korridori”, ka theksuar Maloku.
Krivaqa akuzohet se në ditën e vdekjes e ka dhunuar viktimën në dy raste, ndërsa, Arbër Sejdiu akuzohet se e ka ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit.
Seanca e ardhshme, sipas trupit gjykues, do të mbahet në të ardhmen e afërt deri sa të paraqitet edhe një dëshmitar për këtë ngjarje.