LAJMET E MBRËMJES

Miratohet projektbuxheti 4 miliardë eurosh, rriten pensionet, shtesat për fëmijë e paga minimale

Qeveria në detyrë ka miratuar e më pas proceduar në Kuvend Projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, e i cili parasheh edhe pagën e 13 për të punësuarit publikë. Në mbledhjen e qeverisë, është miratuar edhe rritja e pensionit minimal, janë ngritur shtesat për fëmijë e edhe paga minimale.

Qeveria në detyrë ka miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm, në vlerë rreth 4 miliardë eurosh.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tek prezantoi atë, tha se 1 miliard euro të këtij buxheti janë ndarë për investimet kapitale.

“Me këtë buxhet rritet mbështetja për barna esenciale, por rritet edhe gjithashtu edhe mbështetja për kulturën dhe për sportin. Rritet mbështetja për ndërmarrësit për sektorin privat dhe për bujqit, por rritet buxheti edhe për investime në infrastrukturë publike”, tha Kurti.

Në buxhetin e ri, Kurti tha se është përfshirë edhe paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik, e edhe rritja e shtesës në pagë, në bazë të përvojës së punës.

Krahas buxhetit për vitin 2026, ekzekutivi ka miratuar rritjen e pensioneve bazë nga 120 në 150 euro, e edhe ka rritur për 50 për qind shtesat për fëmijë.

“Kjo rritje prek rreth 200 mijë pensionistë në kategoritë e pensioneve bazike, ato për personat me aftësi të kufizuara, për të rritur por edhe për fëmijë, pensionin familjar si dhe pensionin invalidor të punës... Nga muaji nëntor, shtesat për të gjithë fëmijët nga 0-16 vjeç, e që janë rreth 400 mijë, do të rriten për 50%. Pra një nënë me dy fëmijë që këtë muaj ka marrë 40 euro, nga muaji i ardhshëm do të marrë 60 euro. Një nënë me 4 fëmijë që këtë muaj ka marrë 120 euro, nga muaji nëntor do të marrë 180 euro në muaj, e kështu me radhë”, u shpreh ai.

Në mbledhjen e qeverisë u vendos që të rritet edhe paga minimale, nga 350 euro sa është tani, në 425 nga janar e në 500 euro nga muaji korrik.

Buxheti u miratua, ndonëse një ditë më parë në Kryesinë e Kuvendit përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së thanë se atë nuk mund ta pranojë legjislativi, meqë ofrohet nga një qeveri në detyrë dhe se pa formimin e qeverisë së re nuk mund të formohen as komisionet funksionale nëpër të cilat duhet të kalojë buxheti.

Por, sipas kryeministrit Kurti, Kuvendi duhet ta dëshmojë pavarësinë e tij e të mos varet nga formimi apo jo i qeverisë së re. Ai ka bërë thirrje për arritje të konsensusit për miratimin e buxhetit.

“Unë i thërras logjikës dhe racionalitetit, konsensusi nënkupton logjikë ku vlejnë aspektet universale të menduarit dhe në anën tjetër racionalitetit ku ne bashkërisht shpresoj që do të mund ta kemi një situatë ku në Kuvendin e  Republikës meqë kemi Kuvend të konstiuuar ky buxhet i rritur dhe i mirë do të kalojë në legjislaturën e nëntë e cila tash e ka edhe shtëpinë e vetë, Kuvendin e Republikës”, tha Kurti.

Kabineti qeveritar, mes tjerash, ka miratuar edhe buxhetet komunale të Prishtinës, Gjilanit e Zubin-Potokut për këtë vit.