LAJMET E MBRËMJES

Ministria pezullon pëlqimin mjedisor që e dha vetë për inceneratorin në Ferizaj

Ministria e Mjedisit ka pezulluar pëlqimin mjedisor që e ka dhënë vetë në dhjetor të vitit të kaluar, për kompaninë që planifikonte ndërtimin e një inceneratori në Varosh të Ferizajt.

Pas pëlqimit nga ministria, kompania “Erdi Products” që synim kishte djegien e 100 mijë tonë mbeturinave në vit, mori edhe lejen ndërtimore nga komuna për ngritjen e inceneratorit.

Por të martën, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, tha se lëshimi i pëlqimit për incenerator në një vendbanim, është në kundërshtim me vlerësimet mjedisore dhe ligjet në fuqi. Sipas tij, dhënia e pëlqimit u bë pa dijeninë e tij.

“Në muajin maj befas na vjen një kompani dhe thotë se ne kemi marrë pëlqim nga ju për trajtim termik të mbeturinave, po ashtu kemi marrë edhe leje ndërtimore në Komunën e Ferizajt dhe atje do të ndërtojmë incenerator. Natyrisht është dashur të informohem paraprakisht dhe kam kuptua se në dhjetorin e vitit të kaluar ka pasur të lëshuar pëlqim mjedisor për incenerator në Varosh të Ferizajt dhe që nënkupton djegien e mbi 100 mijë ton mbeturina në vit”.

Ministri Aliu tha se përveç që janë shkarkuar dy komisione, me këtë çështje do të merren edhe organet e drejtësisë. Po ashtu shtoi se do të hulumtohet brenda dikasterit që drejton nëse ka edhe raste të tjera.

“Natyrisht është përgjegjësi edhe mbi Ministrinë edhe mbi Komunën dhe pikërisht për këtë punë pasi e kemi bërë auditimin, duhet t’u drejtohemi në ndihmë organeve të drejtësisë që ta vejë drejtësinë në vend. Fatmirësisht nuk ka arritur të bëhet asgjë sepse e kemi ndaluar, por duhet të shikohet tash mos kemi edhe raste të tjera”.

E në një komunikatë për media, Kompania ka reaguar duke e quajtur të pavërtetë deklaratën e ministrit. Në të thuhet, se me këtë vendim po rrezikohet një projekt 146 milionë eurosh.

“Ministri është vendosur në shërbim të monopolit të mbeturinave dhe me ndikim politik po deklarohet për çështje të vendosura nga ekspertët e lëmive përkatëse”.

Përveç inceneratorit, ministri Aliu u shpreh se nuk ishte në dijeni as për çështjen e shtyllave të ndriçimit në autostradën e Gjilanit, të cilat janë prodhim i kompanisë serbe “AMIGA DOO”. Ai e quajti shqetësuese dhe tha se do të merret me këtë çështje.