LAJMET E MBRËMJES

Mesazhe bashkimi në mbrojtje të vlerave dhe identitetit kombëtar

Tri festat historike të nëntorit janë uruar dhe janë përkujtuar nga liderë shtetërorë dhe përfaqësues politikë. Mes urimeve dhe mesazheve për unitet dhe krenari kombëtare, ata e kanë theksuar rëndësinë që Kosova e Shqipëria të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës në kohën kur kërcënimet për paqen dhe sigurinë po rriten

Liderë shtetërorë, ata botërorë, përfaqësues politikë dhe ata të fushës së sigurisë kanë përcjellë mesazhe urimi për përvjetorin e 113-të të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe për daljen e parë publike të UÇK-së dhe ditëlindjen e komandantit Adem Jashari.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se këto tri ngjarje historike të shqiptarëve e përbëjnë boshtin e krenarisë kombëtare.

Nga qyteti i Vlorës, ajo e ka quajtur Ditën e Flamurit histori të përbashkët të të gjithë shqiptarëve.

“Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharëve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër. Sot, kur e ngremë përsëri këtë flamur kuqezi, nderojmë jo vetëm Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe sakrificën e gjithë kombit, nga Vlora në Prishtinë, nga Shkodra në Shkup, në Mitrovicë, Preshevë e Ulqin, në mërgatë e kudo që rreh zemra shqiptare. Ky flamur është historia jonë e përbashkët, simboli që na bashkoi në ditët më të vështira dhe që na udhëheq sot drejt një të ardhmeje evropiane”, ka shkruar ajo në rrjete sociale.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se fati i kombit shqiptar gërshetohet me datën 28 nëntor teksa ka folur për një “Nëntor të Tretë”.

“Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet”, ka thënë Kurti.

“Kosova e Shqipëria të jenë pranë njëra-tjetrës si kurrë më parë

Në urimin për 28 Nëntorin, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është përqendruar te kërcënimet për paqen dhe sigurinë. Në këtë sfond, ai e ka shtruar nevojën që Kosova e Shqipëria të jetë pranë njëra-tjetrës, si kurrë më parë.

“Nga Prekazi, ku u shkrua një nga kapitujt më të dhimbshëm e më të ndritur të lirisë, e deri te forca jonë e sotme, pasardhëse e UÇK-së, rrugëtimi ynë jetësor udhëhiqet nga amaneti: ta duam këtë tokë, ta mbrojmë këtë flamur dhe të mos harrojmë kurrë sakrificat që na sollën deri këtu. Në një botë ku kërcënimet për paqen dhe sigurinë po rriten, Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë pranë njëra-tjetrës si kurrë më parë, për të mbrojtur vlerat, identitetin dhe ëndrrën e përbashkët të kombit”, ka thënë Maqedonci.

Urime për 28 Nëntorin ka bërë edhe kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza.

“Kjo ditë simbolizon çdo hap të rëndësishëm në rrugën tonë drejt lirisë. E kuqja dhe e zeza, sot nuk janë vetëm ngjyra. Janë Shqipëri. Janë betim për një të ardhme prosperuese për shqiptarët”, ka shkruar Hamza.

Urime për Ditën e Flamurit kanë bërë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Urimet e Trumpit dhe Rubios

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka njoftuar të premten se ka marrë një urim nga presidenti amerikan, Donald Trump, për përvjetorin 113-të të Pavarësisë së Shqipërisë.

“Jam i nderuar të përcjell përshëndetjet e presidentit Trump për shqiptarët në Ditën e Pavarësisë. Faleminderit SHBA, faleminderit juve president Donald Trump për mesazhet e ngrohta dhe pozitive në këtë ditë të rëndësishme. Shqipëria është e përkushtuar për të punuar me SHBA-në prioritetet tona të përbashkëta. Shqipëria gjithmonë ka qëndruar dhe do të vazhdojë të qëndrojë, përkrah SHBA-së”, ka shkruar Begaj në platformën X.

Urime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Shqipëria ka pranuar edhe prej Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, i cili ka shkruar se Washingtoni dhe Tirana kanë partneritet të fortë, të ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët për të ardhme më të sigurt dhe më të begatë.

“Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë dhe ne mirëpresim investimet në rritje të Shqipërisë në sigurinë tonë kolektive. Përveç kësaj, partneriteti ynë me zbatimin e ligjit në Shqipëri i bën qytetarët tanë më të sigurt ndërsa përballemi me kërcënimet e paraqitura nga grupet kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe ata që bashkëpunojnë me to”, thuhet në urimin e Rubios për Shqipërinë. “Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë”, ka shkruar Rubio.

E nëpërmjet një njoftimi në Facebook, në Aleancën ushtarake të NATO-s është uruar “Dita kombëtare e aleatit tonë”.