Gjatë muajit korrik pritet të nënshkruhet marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për grantin mbi 200 milionë dollarësh, i aprovuar së fundmi nga MCC-ja. Programi parasheh investimet në blerjen e baterive që do të ruajnë energjinë. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ky projekt ia kursen Kosovës rreth 15 milionë euro në vit, meqë sasia e energjisë në këtë vlerë mund të ruhet në bateri gjatë kohës kur Kosova prodhon mjaftueshëm. E, zyrtarë të MCC-së kanë kërkuar përshpejtim të procedurave që i hapin rrugë zbatimit të projektit
Kosovës llogaritet t’i kursehen rreth 15 milionë euro në vit nga programi i ri kompakt i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), që pritet të nënshkruhet gjatë këtij muaji.
Ky program parasheh blerjen e baterive me kapacitet 170 megavate, që do të shërbejnë për ruajtjen e energjisë, duke krijuar rezerva që do të përdoren në kohën e pikut.
Në takimin mes delegacionit amerikan të MCC-së dhe atij të Qeverisë së Kosovës të martën, është kërkuar intensifikim i procesit të ratifikimit të marrëveshjes dhe hapat e tjerë që i hapin rrugë zbatimit të projektit.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se projekti do të mundësojë një tranzicion të shpejtë energjetik.
“Ky program do të sjellë në Kosovë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë, rreth 347 megavate orë rezerva, të cilat do të kryejnë funksionin e stabilizimit të frekuencave të rrjetit, si dhe shfrytëzimit të energjisë së ruajtur gjatë natës për orët më të ngarkuara gjatë ditës, që do të thotë ulje të importit të shtrenjtë të energjisë. Sa u përket baterive, ky investim do të jetë i pari në rajon dhe një ndër më të mëdhenjtë në Evropë”, ka thënë Rizvanolli.
Drejtoresha e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead, ka inkurajuar institucionet që të përshpejtojnë në realizimin e marrëveshjes për të nxjerrë përfitimet e projektit.
“Më këtë grant po krijohet një mjedis i rëndësishëm për investime në bateri dhe të mbështesim Kosovën që të arrijë energjinë e ripërtërishme dhe synimet e energjisë në përgjithësi, si dhe mundësi të barabarta për minoritetet po ashtu, edhe për gratë… Jo vetëm ne si pjesëmarrës në këtë sallë, por edhe gjithë spektri politik dhe Qeveria të punojmë së bashku që të përshpejtojmë së bashku ato përfitime që do të vijnë për popullin e Kosovës nga ky investim. Ne presim që ky program të nënshkruhet në korrik, ku pastaj pritet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës”, ka thënë ajo.
Programi kompakt i MCC-së kap vlerën e 236.7 milionë dollarëve amerikanë, prej të cilave 200 milionë dollarë janë grant nga SHBA-ja, rreth 35 milionë dollarë janë nga Qeveria e Kosovës dhe 2 milionë dollarë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD).
Ministria e Ekonomisë ka përmbyllur konsultimet publike për Strategjinë për Energji, e cila parasheh instalimin e së paku 1.400 megavateve të energjisë diellore dhe të erës, të cilat do të kyçen në rezerva për të shfrytëzuar në kohërat kur nuk ka erë ose diell, me anë të baterive që është planifikuar të blihen përmes programit të MCC-së.
Më 30 qershor Bordi Ekzekutiv i MCC-së ka aprovuar Projektin Kompakt, si dhe ka hapur rrugën për nënshkrimin dhe finalizimin e proceseve të ratifikimit të marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës dhe dekretimin nga presidentja e shtetit.
Programi përfshin tri projekte. Projekti i parë ka të bëjë me rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW).
Me të parashihet blerja dhe instalimi i baterive me kapacitete të larta që shërbejnë si rezerva të energjisë.
Sipas ME-së, kapaciteti i sistemit akumulues të energjisë pritet të jetë më i madhi në Evropë për kokë banori dhe shënon njërin prej projekteve më inovative në rajon dhe më gjerë.
“Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe konsumit. Bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë, për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, me qëllim të përdorimit të saj kur është nevoja gjatë orëve me konsum të lartë. Tutje, bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë me burime solare të erës dhe burime të ngjashme, gjë që do ta përshpejtojë kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë”, thuhet në njoftimin e ME-së, pas aprovimit të programit.
Projekti i dytë ka të bëjë me zhvillimin e fuqisë punëtore energjetike për të ardhmen, që synon të krijojë një program të studimit që do të zhvillojë aftësitë e individëve që do të punojnë në sektor të energjisë dhe fuqi punëtore gjithëpërfshirëse në sektor të energjisë.
Ndërsa projekti i tretë financohet nga ACFD dhe ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat në Kosovë nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara. Projekti synon të rrisë përfshirjen e sektorit privat gjatë implementimit të programit Kompakt në fushat që mbështesin ose plotësojnë objektivat e projektit, të rezervave të energjisë dhe atë të zhvillimit të fuqisë punëtore.
Projektet e mundshme të mbështetura përmes këtij mekanizmi përfshijnë gjenerimin e energjisë së ripërtërishme dhe hapjen e mundësive për financim për agjendë të gjelbër.
Investimet e programit Kompakt do të jenë pronë e Kosovës.