Me iniciativë të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 17 tetor në Tiranë do të mbahet protestë në mbështetje të ish–udhëheqësve të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më masive. Protesta në Tiranë do të pasojë ato që janë mbajtur në Prishtinë dhe Hagë së fundi
Në mbështetje të ish–udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 17 tetor në Tiranë, pritet të mbahet protestë e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Protesta në kryeqendrën e Shqipërisë do të pasojë ato që janë mbajtur në Prishtinë dhe Hagë së fundi, në mbështetje të atyre që po gjykohen nga Specialja.
“Mesazhi ynë është i thjeshtë dhe i qartë ‘Drejtësi për Çlirimtarët’, kundër padrejtësisë që po u bëhet atyre. Prandaj, sot nga kjo tryezë, iu drejtohemi të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, veprojnë, partitë politike shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, bashkoheni në këtë protestë paqësore në Tiranë. Kjo nuk është çështje vetëm e disa individëve, por është çështje e të gjithë neve, çështje e dinjitetit dhe sakrificës. Le të ngrihemi të gjithë si një zë i vetëm, për të kërkuar drejtësi”, ka thënë Gucati.
E kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, u shpreh se Gjykata Speciale po e njollos luftën e drejtë të UÇK-së.
“Ne në vazhdën e protestave për të kundërshtuar padrejtësitë. Jo vetëm që krerët e UÇK-së, po mbahen padrejtësisht atje, por nga kjo gjykatë është duke u sulmuar por edhe duke u njollosur lufta jonë të drejtë dhe e pastër. Mendoj që populli dhe kombi shqiptar, kudo që janë duhet të reagojnë, sepse lufta e UÇK-së, ka përmasë kombëtare”, ka thënë Jashari.
Bashkorganizatori i protestës, Azgan Haklaj, theksoi se ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe më 17 tetor.
“Është një moment historik, çlirimtarët ndodhen në Hagë përballë disa akuzave të fabrikuara. Ndërkohë Radoiçiqi me shokë është i lirë. Ju drejtohem me një thirrje tepër vllaznisht, të gjithë sot jemi UÇK. Motoja jonë është “Edhe unë jam UÇK, drejtësi dhe liri për çlirimtarët”. Me datën 17 tetor, të gjithë shqiptarët do të vijnë dhe do të japin mbështetje për çlirimtarët të cilët ndodhën në Hagë, me dëshmi të fabrikuara”, ka deklaruar Haklaj.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen nga Specialja për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Ata janë duke u mbajtur në paraburgim që nga viti 2020.