Ka dështuar për herë të dytë që prej themelimit, mbledhja e komisionit parlamentar për rezervat shtetërore në mungesë të deputetëve të pushtetit. Deputetët opozitarë i fajësuan kolegët e tyre nga pushteti për bojkot, mirëpo kanë marrë shpejtë kundërpërgjigje
Mbledhja e Komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore ka dështuar të hënën, që është hera e dytë nga themelimi i tij, shkaku i mungesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, kryesues i komisionit, tha se mosprezenca e deputetëve të Vetëvendosjes ka bllokuar punët kyçe, siç janë miratimi i buxhetit të komisionit Ad-Hoc dhe planit të punës.
Vetëvendosjen e akuzoi se qëllimisht po e bojkoton komisionin që i dha mandat Kuvendi për hetim të procedurave për furnizim e menaxhim me rezervat shtetërore dhe për keqpërdorimet e abuzimet e mundshme nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror.
“Siç po e shihni, puna e Komisionit pamundësohet për shkak të deputetëve të Vetëvendosjes, të atyre që vazhdimisht janë thirrur në ligj, rend, drejtësi. Sot vetëm një nga deputetët, kolegu Driton Hyseni ka lajmëruar që për shkaqe personale e për shkak të një angazhimi s’mund të vijë, që është një mungesë me arsye, e për të tjerët s’kemi asnjë informatë të vetme”, theksoi Qalaj.
Për çështjen e rezervave shtetërore është hapur proces hetimor edhe në Prokurorinë Speciale, shkaku i grurit, vajit e sheqerit që janë kontraktuar për pajisje me rezerva ushqimore të shtetit.
Dyshimet e prokurorisë janë se shtetit i është shkaktuar dëm mbi 600.000 euro.
E shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, akuzave për bojkot u është kundërpërgjigjur me kundërakuza ndaj opozitës për bojkot të punës së rregullt të Kuvendit. Tha se opozita me qëllim po i cakton në të njëjtën kohë mbledhjet e komisionit me mbledhjet e tjera.
“Në një farë forme njëanshëm është duke funksionuar puna e Kuvendit veç me opozitën për çështjet të projektligjeve dhe komisioneve funksionale, përderisa opozita dëshiron që të merret me hetime, le të vazhdojnë deri ku e çojnë nuk e di, por që për ne primarja është puna në Komisionet e përhershme dhe Komisionet funksionale”, vlerësoi Kusari-Lila.
Deputetët e partisë në pushtet paraprakisht patën munguar në shtatë mbledhje me radhë, duke e bërë të pamundshëm themelimin e komisionit deri më 12 dhjetor.