Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se me këtë projekt do të bëhet diversifikimi i burimeve të ripërtritshme të energjisë. “Projekti në tërësi shkon në vlerën mbi 80 milionë euro dhe si qeveri kemi arritur që me mbështetjen e qeverisë gjermane përmes KFW-së të sigurojmë një grant me vlerë prej 31,6 milionë eurosh nga korniza e Ballkanit Perëndimor, po ashtu kemi siguruar një grant prej 21,5 milionë euro dhe pjesa tjetër që po ashtu do ta nënshkruajmë sot është kredi me kushte të favorshme nga BERZh-i”, ka thënë ai
Nëntë muaj pas ndarjes së lokacionit, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar dy marrëveshje të granteve dhe një marrëveshje të kredisë për projektin “Solar për Kosovën – Ngrohja Qendrore” në vlerë mbi 80 milionë euro, të martën.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se me këtë projekt do të bëhet diversifikimi i burimeve të ripërtritshme të energjisë.
“Projekti në tërësi shkon në vlerën mbi 80 milionë euro dhe si qeveri kemi arritur që me mbështetjen e qeverisë gjermane përmes KFË-së të sigurojmë një grant me vlerë prej 31,6 milionë eurosh nga korniza e Ballkanit Perëndimor, po ashtu kemi siguruar një grant prej 21,5 milionë euro dhe pjesa tjetër që po ashtu do ta nënshkruajmë sot është kredi me kushte të favorshme nga BERZh-i”, ka thënë ai.
Projekti parasheh që përveç instalimit të kapacitetit gjenerues edhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore, duke siguruar qasje edhe për rreth 38 mijë qytetarë të Prishtinës.
“Ky projekt është i pari në rajon, i cili përdor në masë të madhe energjinë diellore për ngrohje të shtëpive dhe si i tillë dëshmon përkushtimin e qeverisë për ngritjen e kapaciteteve të energjisë në harmoni me agjendën e gjelbër të BE-së dhe nën kornizën e strategjisë për energjinë të cilën sapo e kemi miratuar edhe në qeveri”, ka thënë ai.
Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se BE-ja është krenare në ndihmën e dhënë në këtë projekt me rëndësi, sipas tij.
"Kjo është energji e pastër e prodhuar në shtëpi dhe nevoja për energji të pastër nuk ka qenë kurrë më e madhe se sa sot. Energjia e ripërtëritshme nuk është e mirë vetëm për mjedisin, por ajo është edhe më e përballueshme dhe kontribuon në sigurinë e energjisë" , ka theksuar Szunyog.
Sipas tij, është një moment shumë i rëndësishëm për të pasur energji të qëndrueshme dhe të gjelbër.
“Me mbështetjen e këtij projekti me 31,5 milionë, teknologjia më e fundit ka mundësuar që gjatë verës të absorbohet energjia në mënyrë që të sigurohet ngrohje qendrore në Prishtinë. 38 mijë qytetarë do të përfitojnë prej furnizimit me energji të gjelbër dhe kjo do të ndihmojë në zvogëlimin e ndotjes së ambientit”, ka thënë Szunyog.
Ka theksuar se BE-ja mbështet zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.
“Po ashtu ne po mundësojmë që të pasurojmë furnizimin me energjinë, sidomos që tash është është ndikuar si pasojë e invazionit të Rusisë. Këto projekte do të kenë ndikim afatgjatë dhe po ashtu do të ndahen 75 milionë euro mbështetje buxhetore për Kosovën për të zbutur krizën e menjëhershme të energjisë", ka shtuar ai.
Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad, u shpreh se duhet të vazhdohet puna për gjetjen e burimeve të tjera të energjisë.
"Gjermania është e përkushtuar që të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj për kalimin e saj në energji të qëndrueshme dhe në bazë të agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Ky është edhe angazhimi ynë më i madh i Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën në veçanti”, ka thënë Conrad.
Ai deklaroi se Gjermania ka luajtur rol kryesor në zhvillimin e sektorit të energjisë në dy dekadat e fundit në zhvillimin e energjisë dhe sistemit të transmisionit për integrim në tregun evropian.
“Përvoja me krizën e energjisë ka treguar se është me rëndësi të madhe që të përshpejtohet gjetja e burimeve të tjera", u shpreh ai.
Edhe shefi i Energjisë dhe Lëvizshmërisë në Evropën Juglindore në Turqi, (KFW), Pablo Obrador Alvares ka thënë se në tri vitet e fundit kanë punuar me BERZh-in për këtë projekt dhe është me rëndësi për kryeqytetin e Kosovës, meqë po sjell teknologji të re në vend.
Ditë më parë, Bordi Operacional i Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF) miratoi aplikimet e Kosovës për grante për projektin e Ngrohjes Qendrore Solare dhe atë për Parkun Solar të KEK-ut.