Fillimi i javës ka shënuar edhe një rritje tjetër të çmimeve të derivateve. Ato kanë arritur në nivel rekord. Qeveria ende nuk e ka miratuar vendimin që kufizon përfitimet e tregtarëve, ndërsa opozita ka kërkuar reduktimin, përkatësisht heqjen e akcizës dhe TVSH-së për derivate dhe produkte tjera të domosdoshme. Por, kjo është kundërshtuar nga Ekzekutivi, i cili ka thënë se kjo trash fitimet e tregtarëve.
Mbi 400 milionë euro në vit janë të hyrat në buxhetin e shtetit nga akciza dhe tatimi mbi vlerën e shtuar për derivate. Por, opozita po i kërkon Qeverisë që të heqë dorë nga një pjesë e këtyre të hyrave.
Arsye për këtë, sipas tyre, është rritja e çmimeve të naftës dhe produkteve tjera të domosdoshme.
Por, sipas Ekzekutivit, heqja e akcizës është thirrje për trashjen e fitimit të tregtarëve.
“Thirrjet e opozitës që Qeveria t’i ulë TVSH-në apo akcizën në naftë ose produkte të tjera nuk u shërbejnë interesit të qytetarëve. Përkundrazi, një veprim i tillë vetëm sa do të trashte fitimet e tregtarëve në njërën anë, dhe do të kufizonte mundësitë e shtetit që t’i mbështesë familjet në nevojë, në anën tjetër. Ulja e TVSH-së apo akcizës në situata inflacionare jo domosdo reflektohet në zbritje të çmimit te konsumatori”, ka thënë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Qeveria së shpejti pritet që të miratojë një vendim që do të kufizojë fitimin e naftëtarëve, gjë që do të ndikonte në uljen për rreth 12 centë të çmimit të derivateve.
E, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, brenda 5 muajve të hyrat nga akciza dhe TVSh-ja për derivate ishin afro 152 milionë euro.
Kjo shumë është për rreth 15 milionë më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, edhe pse sasia për litra është rreth 6 milionë më pak.
Por, opozita po insiston në heqjen e përkohshme të TVSH-së dhe akcizës. Grupi parlamentar i LDK-së ka kërkuar debat parlamentar në të cilën do të paraqitet rezoluta ku kërkohet suspendim për tre muaj i këtyre dy të hyrave.
“Kemi kërkuar debat parlamentar lidhur me ngritjen e çmimeve dhe masat urgjente që duhet të merren. Kemi propozuar edhe rezolutë. Kërkuam që ky debat të mbahet këtë të enjte, por partia në pushtet insistoi që agjenda është shumë e ngarkuar dhe mbetet për të enjten e ardhshme”, ka thënë Arben Gashi, shef i GP të LDK-së.
Edhe dy partitë e tjera opozitare, PDK dhe AAK, kanë kërkuar heqjen e TVSH-së dhe akcizës.
Çmimet e karburanteve në Kosovë kanë arritur në nivel rekord, i ndikuar edhe nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Të hënën një litër naftë është tregtuar me 1 euro e 86 centë, çmim ky ndër më të lartit në rajon.