LAJMET E MBRËMJES

Mbi 2 kg kokainë sekuestrohen nga një veturë, Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarit

Policia i ka sekuestruar në një veturë mbi 2 kilogramë kokainë gjatë një kontrollit rutinor të kryer në kryeqytet. Për dy të dyshuarit, njëri prej të cilëve është shtetas i Kosovës ndërsa tjetri i Malit të Zi, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit

Në një kontroll rutinor veturash në Prishtinë, njësia e Reagimit të Shpejtë e Policisë ka sekuestruar nga një automjet mbi dy kilogramë drogë të rëndë, të llojit kokainë. 

Ngasësi i veturës, i cili është shtetas i Kosovës, dhe pasagjeri nga Mali i Zi, janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. 

Në Polici kanë njoftuar se pasagjeri i ka rezistuar arrestimit. 

“I dyshuari gjatë tërë kohës ka rezistuar në mënyrë agresive, duke i sulmuar zyrtarët policorë dhe tek i njëjti gjatë arrestimit janë gjetur dy paketime të mbështjella të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë, të dyshuar si substancë narkotike e llojit kokainë, pesha e përgjithshme e së cilës arrin rreth 2270.6 gramë (2 kilogramë e 270.6 gramë)”, kanë bërë të ditur në Polici. 

Për dy të përfshirët në këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit. 

“Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ka paraqitur kërkesë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh ndaj të pandehurve F.G. dhe B.M., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 dhe nenin 275 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kanë njoftuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Në organin e akuzës kanë bërë të ditur po ashtu se te shtetasi i huaj është gjetur edhe një sasi e konsiderueshme parash. 

“Gjatë kontrollit të çantës së të pandehurit B.M. janë gjetur para të gatshme në shumën prej 12,050 (dymbëdhjetë mijë e pesëdhjetë) euro, si dhe një (1) telefon i markës iPhone 15 Pro Max. Tek i pandehuri F.G. janë gjetur 1,050 (njëmijë e pesëdhjetë) euro dhe një (1) telefon i markës Samsung. Të gjitha këto sende janë sekuestruar nga Policia e Kosovës, si prova materiale në procedurë penale”, kanë thënë në Prokurori.

Vitin e shkuar, Policia pati sekuestruar 5.46 kilogramë kokainë, 27 kilogramë heroinë, mbi 1 ton e 279 kilogramë marihuanë, si edhe droga të tjera në sasi më të vogla. Një pjesë e madhe e kokainës, e cila hyn në Kosovë, kryesisht kalon nëpër të për të mbërritur në vende më të zhvilluara të Evropës.  

Në Qendrën “Labirint”, e cila merret me rehabilitimin e personave të varur nga narkotikët, e kanë përshkruar më herët gjendjen me varësinë ndaj kokainës në Kosovë si jashtë kontrollit, teksa kanë thënë se janë rreth 8 mijë deri në 10 mijë përdorues të saj.