Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

“Mbeturinat.com”, platforma për largimin e mbeturinave inerte e vëllimore

Retkoceri

Komuna e Prishtinës ka lansuar platformën digjitale “mbeturinat.com”, përmes së cilës qytetarët mund të kërkojnë largimin e mbeturinave inerte dhe vëllimore direkt nga shtëpitë e tyre. Zyrtarët komunalë thonë se ky shërbim do të ndihmojë në menaxhimin më të mirë të mbeturinave dhe mbajtjen pastër të kryeqytetit

Tash e tutje qytetarët e Prishtinës mund të kërkojnë largimin e mbeturinave inerte e vëllimore nga shtëpitë e tyre, përmes platformës digjitale “mbeturinat.com”, e cila është lansuar të dielën. 
Drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, ka thënë se ky shërbim pritet të lehtësojë menaxhimin e mbeturinave.

Ai ka thënë se para dy muajsh ky shërbim ishte bërë i pamundur, pas mbylljes së deponisë në mungesë të lejes mjedisore, por sipas tij, tashmë këto procedua janë përmbyllur.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Për një periudhë mbi 2-mujore, për shkak të mbylljes së deponisë për dërgimin e mbeturinave vëllimore ose inerte nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, ofrimi i këtyre shërbimeve ka qenë i pamundur. Megjithatë, pas zyrtarizimit të koalicionit nga Partia Demokratike e Kosovës për bashkëqeverisje në Komunën e Prishtinës dhe marrjes së mandatit si drejtor i Shërbimeve Publike, në bashkëpunim me kryetarin Rama dhe Komunën e Prishtinës, kemi ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për largimin dhe krijimin e një procedure për zgjidhjen sa më të mirë të mbeturinave vëllimore në kryeqytet. Është siguruar lokacioni për pikën tranzitore dhe është mbyllur procedura për pajisje me leje mjedisore, përkatësisht është organizuar largimi masiv i mbeturinave nga zonat urbane në kryeqytet”, ka thënë Retkoceri.

Sipas tij, pas aplikimit nga qytetarët për largim të mbeturinave vëllimore ose inerte, kërkesa i përcillet operatorit përgjegjës, i cili më pas organizon tërheqjen direkt nga shtëpitë e tyre.

Retkoceri ka thënë se një pjesë e pajisjeve që do të mblidhen, nëse janë funksionale, mund të ripërdoren për familjet në nevojë.

“Kjo nuk është vetëm largim i mbeturinave vëllimore, por është një ambient i pastër dhe një vlerë sociale. Disa prej pajisjeve që do të tërhiqen nga shtëpitë e qytetarëve, nëse janë funksionale, do të pastrohen dhe do të shihet mundësia për dërgimin e tyre te familjet me raste sociale dhe në nevojë. Ky është një model i ri i bashkëpunimit mes qytetarit, komunës dhe kompanive së bashku, për një shërbim sa më të mirë publik”, ka thënë ai.

Sipas tij, shërbimi do të jetë falas për qytetarët, por ka paralajmëruar gjoba prej 500 eurosh për ata që i hedhin këto mbeturina në vende publike.

Problematika e mbeturinave vëllimore dhe inerte në Prishtinë ka qenë një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve muajt e fundit. 

Probleme me mbeturinat janë raportuar edhe në Fushë-Kosovë dhe Podujevë, ku KOHA ka raportuar se për më shumë se dy javë mbeturinat nuk janë mbledhur nga kompania “Pastrimi”.