LAJMET E MBRËMJES

LVV-ja mban seancë pa kuorum por s’i shqyrton pikat. Opozita e quan të kundërligjshme

Pa kuorumin e nevojshëm, Lëvizja Vetëvendosje e zhvilloi seancën e jashtëzakonshme për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe për marrëveshjet ndërkombëtare. Gjatë saj, deputetë të LVV-së folën për pasojat e mostrajtimit të këtyre çështjeve dhe për mungesën e opozitës, por nuk arritën ta shqyrtojnë asnjërën nga pikat e rendit të ditës. Seanca u ndërpre por nuk u mbyll, pasi kryeparlamentari tha se pret reflektim nga opozita për t’i trajtuar pikat e rendit të ditës

Pa u siguruar e konstatuar kuorumi i nevojshëm, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e hapi dhe e zhvilloi seancën e jashtëzakonshme, të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje para asaj për zgjedhjen e Qeverisë.

Deputetë të PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës Socialdemokrate nuk morën pjesë në këtë seancë, siç paralajmëruan më parë.

Prezentë nuk ishin as deputetët e Listës Serbe dhe as deputetja boshnjake, Duda Balje.

Në këtë seancë synohej formimi i komisioneve parlamentare, shqyrtimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe i projektligjit për buxhetin e 2026-tës, miratimi i buxhetit për Komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin-Potokut, si edhe trajtimi i çështjes së financimit të RTK-së. E me gjithë mungesën e kuorumit, kryeparlamentari ua dha mundësinë e deklarimit deputetëve të LVV-së.

Deputetja Mimoza Kusari-Lila u kërkoi partive të tjera parlamentare që të marrin pjesë në seancë.

“Nuk e kemi për betejë politike. Marrëveshjet nuk janë për parti, por për qytetarët. Pa ato miratime, humbin fondet por edhe një pjesë e ndërgjegjes suaj”, tha ajo.

Gjatë fjalimit të saj, në seancë u paraqit deputeti i PDK-së, Përprim Gruda.
Ai e quajti të kundërligjshme mbajtjen e kësaj seance si dhe trajtimin e pikave, mes të cilave edhe atë për buxhetin e 2026-tës.

Fjalimi i tij nxiti replika nga deputetë të Vetëvendosjes, që edhe e ndërprenë disa herë gjatë deklarimit.
“Buxheti nuk është i Albin Kurtit, është i qytetarëve. Me pasë Prokurori të përgjegjshme, të gjithë ata që tentojnë ta fusin vendin në krizë sociale do të duhej të përgjigjeshin penalisht. Ne kemi mundur të bëjmë qeverinë por nuk bëjmë pazare, siç keni bërë ju. Me tendera, ambasada, me Listën Serbe që e keni pritë me orë të tëra në Kuvend. Ne shkojmë në zgjedhje, pastaj qytetarët jua japin ndëshkimin që e meritoni”.

Pas debatit me Grudën, foli edhe kryetari i Vetëvendosjes e kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai tha se Kosova do të humbë me miliona euro nëse vendi shkon në zgjedhje pa miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Sipas tij, është opozita e mandatit të shkuar ajo që rrezikon ta lërë vendin pa buxhet me mospjesëmarrjen në seancë.

“Nëse ne qenkemi vonuar, përse nuk janë këtu për të na lënë neve fajin e popullit buxhetin”, tha Kurti.

Seanca u ndërpre nga kryeparlamentari por nuk u përmbyll. Ai tha se e pret reflektimin e partive opozitare për ta trajtuar rendin e ditës edhe në mbledhje të kryesisë dhe që çështjeve t’u jepet epilog brenda kësaj seance.