Pushteti ka kushtëzuar opozitën se deri në përcaktimin e saj përfundimtar për zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk do ta votojë komisionin hetimor lidhur me tenderët njëburimorë në Qeveri e ndërmarrje publike. Opozita përveçse kërkoi themelimin e tij, i bëri thirrje edhe Prokurorisë Speciale të ndërmarrë veprime lidhur me tenderët njëburimorë të nënshkruar nga pushteti
Kuvendi nuk arriti ta themelojë të enjten komisionin hetimor lidhur me procedurat e tenderëve të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë nëpër ministri e ndërmarrje publike.
Kjo u pamundësua, meqë në votim morën pjesë vetëm 26 deputetë.
Nga grupi parlamentar i PDK-së, si propozues të themelimit të Komisionit, në kohën e votimit në sallë ishin vetëm 3 deputetë.
Megjithatë mosthemelimin komisionit e përcaktuan deputetët e pushtetit, të cilët kryesisht u përmbajtën nga pjesëmarrja në votim.
Në këmbim të themelimit të komisionit, Lëvizja Vetëvendosje i kushtëzoi partitë opozitare që të përcaktoheshin sa u përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Ne frikësohemi se komisioni po i shtyn zgjedhjet e shumëkërkuara nga opozita dhe nuk po dimë a janë më me prioritet komisionet apo zgjedhjet. Derisa ta marrin vendimin dhe derisa të jemi të bindur se këta vërtetë po kërkojnë zgjedhje ne nuk i kemi këta 5 emra”, deklaroi shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Opozita, e cila ka kohë që kërkon zgjedhje, kritikoi qëndrimin e pushtetit.
“Grupi parlamentar i PDK ka propozuar një datë për zgjedhje dhe ajo datë është 9 qershor. Marrë parasysh josinqeritetin e këtyre dhe frikën për të shkuar në zgjedhje e dimë që ajo ka qenë vetëm një lojë fjalësh sepse këta nuk guxojnë ta shpërndajnë Kuvendin më 9 qershor”, tha Abelard Tahiri, shef i deputetëve të PDK-së.
“Atë që mund të them në emër të LDK ne kemi filluar me u dashuruar në postulatin ‘hajnat në burg’, por jo hajnat në zgjedhje. Ne po duam hajnat vërtetë te përfundojnë në burg. Mesa po e shohim LVV po do të shkojë me postulatin hajnat në zgjedhje sepse po i duhen paratë për të bërë fushate edhe njëherë”, deklaroi Driton Selmanaj i LDK-së.
“Është një ikje nga tema nga komisioni hetimor që në fakt është frika e qeverisë me u ballafaqua me të vërtetën dhe mos emërimi i kandidatëve e vërteton pohimin tonë se tenderët një burimor janë vatra korruptive e kësaj qeverie”, u shpreh Besnik Tahiri, shef i deputetëve të AAK-së.
Nga opozita shprehën drojën se tenderët e nënshkruar, për të cilët po kërkohet hetim parlamentar, janë burim korrupsioni.
“E keni ndarë tallin kolege kesh sa të duash”, tha deputeti i LDK-së, Besian Mustafa.
“Për herë të parë kryeministri e ka korruptuar luftën kundër korrupsion”, shtoi Tahiri i AAK-së.
E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri thirrje për veprim të menjëhershëm të Prokurorisë Speciale.
“Në shtetin e Kosovës 781 tenderë sekretë janë dhënë për tri vjet vlera e tyre është 209 milionë euro. I bije që çdo ditë pune, e hënë e premte, në aparatin shtetëror të pushtetit jepen tenderë”, tha Abdixhiku.
Nga pushteti i mohuan akuzat, duke thënë se s’ka asgjë të dyshimtë.
“Nga viti 2008 -2014 qeveri e udhëhequr nga PDK, 448 milionë euro ka qenë shuma e shpenzuar në kontrata një burimore. 2015-2017 qeveri e udhëhequr nga LDK 158 milionë euro ka qenë shuma e shpenzuar e kontratave njëburimore. Nga viti 2018-2019 Qeveri e udhëhequr nga AAK ka qenë 120 milionë euro shuma e shpenzuar për kontrata burimore”, deklaroi deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi.
Me përjashtim të kryeparlamentarit, i cili abstenoi, shumica parlamentare votoi kundër duke rrëzuar edhe propozim-rezolutën nga debati i javëve më parë për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.