LAJMET E MBRËMJES

LVV-ja braktis seancën për rritjen e koeficientit të pagave

Vetëvendosja ka bojkotuar seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, e thirrur nga opozita për të shqyrtuar ngritjen e koeficientit të pagave. Gjatë punimeve të saj, opozitarët thanë se partia në pushtet nuk lë asnjë hapësirë për bashkëpunim

Shumica e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje kanë braktisur të enjten seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrur nga opozita, për të diskutuar mbi ngritjen e koeficientit të pagave.

Në Kryesinë e Kuvendit edhe përfaqësues të kësaj partie janë pajtuar që seanca e jashtëzakonshme të niste në orën 12:00, e braktisja e sallës u bë nën justifikimin se nuk po përmbyllej seanca që ishte në zhvillim, e ku ndodheshin në trajtim disa projektligje.

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës shprehu gatishmëri që t’i përfundonin të gjitha pikat e seancës në të cilën ndodheshin, në rast se do të jepeshin garanci se ligjvënësit e Vetëvendosjes do të qëndronin në sallë gjatë punimeve të seancës pasuese – asaj të jashtëzakonshme për koeficientin.

“Së pari, nuk u deklarua kryetarja e grupit parlamentar. Dua të kem si deklarim. A do të rrinë në seancë të diskutimit të koeficientit apo jo”, ka thënë kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pas vërejtjes që bëri se seanca e jashtëzakonshme nuk po niste sipas kohës së dakorduar.

Seanca e jashtëzakonshme nisi, pasi premtimin për qëndrim në sallë nuk e dha shefja e Grupit parlamentar të mazhorancës, Mimoza Kusari-Lila.

E, kryeparlamentari Glauk Konjufca vendosi që të ndërpritej seanca e rregullt dhe të niste e jashtëzakonshmja.

“Unë i jap të drejtë z. Tahiri. Vazhdojmë me seancë të jashtëzakonshme”, ka thënë Konjufca.

Pas kësaj, shumica e deputetëve të Vetëvendosjes kanë braktisur sallën.

Por, kolegëve nuk iu bashkëngjitën deputetët Visar Korenica, Eman Rrahmani e Gramos Agusholli.

Një nga ta arsyetoi qëndrimin në sallë.

“Unë qëllimisht nuk u largova, për të qëndruar këtu që të jap një mesazh se nuk duhet të bojkotohen seancat nga kushdo që thirren. Në qoftë se kemi kundërshtime, duhet të kundërshtohet dhe të diskutohet këtu në Kuvend, për shkak që nuk besoj që kontribuojmë asnjëri, opozita me bllokimin e marrëveshjeve ndërkombëtare e as pozita me bojkotimin e seancave të thirrura nga opozita”, ka thënë deputeti Eman Rrahmani.

Në seancë, deputetët e opozitës kritikuan pushtetin, duke ia përmendur edhe mosmbajtjen e premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore.

Abelard Tahiri, shef i Grupit parlamentar të PDK-së, i ka reaguar deputetit Rrahmani.

“Po ia kujtoj Emanit që i kemi votuar 52 marrëveshje. I kemi dhënë qasje kësaj qeverie në 860 milionë euro për hir të qytetarëve, i kemi miratuar mbi 80 për qind të gjitha iniciativat ligjore, por cila është gjendja sot”, ka thënë Tahiri.

Ai ka theksuar se për bojkotin e kishte paralajmëruar kolegun e tij të AAK-së.

“I thashë Besnikut që rrejnë. I kryejnë punët e veta e ikin. Nuk ta mbajnë fjalën, po leje ashtu siç e ke planifiku në orën 10. Qe sot, doli ashtu siç thashë”, ka thënë ai. “Është e kotë edhe me i miratu marrëveshjet ndërkombëtare, sepse është e kotë me bashkëpunu me ta. E lëshojnë seancën. Është e pamundshme me bashkëpunu me ta. Është gabim me iu miratu këtyre ligje, marrëveshje ndërkombëtare e buxhetin”.

Kritikë janë treguar edhe ligjvënësit e Lidhjes Demokratike.

“Për me diskutu për koeficientin e pagave, më vjen shumë keq që nuk janë shumica, më vjen keq për qytetarët. Këta kur po flasim ne për paga, po thonë se ne nuk kemi ardhë në pushtet me premtimin për rritje të pagave, por këta nuk kanë ardhë në pushtët duke premtu se do t’i ulin pagat. Keni ardhë në pushtet duke premtu punësim dhe drejtësi. Çka keni ofru”, ka thënë deputetja Hykmete Bajrami.

E kolegu i saj partiak, Besjan Mustafa, ka thënë se pushteti nuk po i dëgjon kritikat nga ekonomistë të zot të partive opozitare.

“Në vend që të pranojnë sugjerime nga partitë që kanë ekonomistë të zot dhe ato sugjerime t’i kthejnë në politike dhe t’i zbatojnë me qëllim për të lehtësuar barrën inflacionare të qytetarëve të Kosovës, kanë vendosur të ndjekin rrugë antikushtetuese kinse për të zgjidhur problemet e qytetarëve por kjo fatkeqësisht shihet që nuk do të ndodhë”, është shprehur Mustafa, në seancën e jashtëzakonshme.

Sipas tij, rritja e vlerës së koeficientit është mënyra më e mirë për t’u përballur me rritjen e çmimeve.

“Me këto probleme të rritjes së çmimeve, me ekonominë gjithnjë e më të varfër dhe ku nuk shihet se do të ketë zhvillim ekonomik, zgjidhja më e paktë që do të mund t’u ofronte qytetarëve dhe zyrtarëve do të ishte ngritja e koeficientit që ata do të mund të përballonin edhe rritjen e çmimeve. Fatkeqësisht pozita nuk është e gatshme me shumicën dërrmuese të tyre, nuk janë të gatshëm as të debatojnë e diskutoje, e lëre më të punojë”.

Kjo është seanca e dytë e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita e që bojkotohet nga pushteti.