Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Lirohet “me kushte” ish-komandanti i UÇK-së, Isni Kilaj

Ani se është liruar, Kilaj ende është i dyshuar në proceset e Dhomave të Specializuara dhe lirimi i tij është objekt i kushteve të rrepta të vendosura nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Në mesin e tyre, si kusht paraprak për lirimin e tij është caktuar shuma prej 30 mijë eurosh, të cilën ai duhet t’ia japë administratores si garanci financiare

Ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, është liruar të mërkurën nën kushte të rrepta nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. 

Ani se është liruar, Kilaj ende është i dyshuar në proceset e Dhomave të Specializuara dhe lirimi i tij është objekt i kushteve të rrepta të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm. Në mesin e tyre, si kusht paraprak për lirimin e tij është caktuar shuma prej 30 mijë eurosh, të cilën ai duhet t’ia japë administratores si garanci financiare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nuk duhet të largohet nga territori i Kosovës, përveçse me leje të një paneli kompetent të DHSK-së dhe t’ia dorëzojë administratores pasaportën dhe çfarëdo dokumenti tjetër udhëtimi të tij; duhet të japë adresën në të cilën do të banojë gjatë kohëzgjatjes së procesit gjyqësor dhe të paraqitet çdo javë në Policinë e Kosovës, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga administratorja; nuk duhet të bëjë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, deklarata publike në media dhe/ose mediat sociale lidhur me DHSK-në, ZPS-në dhe ose proceset e DHSK-së, përfshirë deklarata që përmbajnë kërcënime, dhunë ose frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të hetimit penal”, thuhet në komunikatën për media të DHMSK-së. Aty theksohet po ashtu se Kilaj duhet të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore të kërkuar nga DHSK-ja dhe të përmbushë çdo vendim apo urdhër tjetër të Gjykatës. “Gjykatësi i Vetëm theksoi se në rast të mospërmbushjes së ndonjë prej kushteve, do të lëshohet menjëherë urdhër për arrestimin e z. Kilaj”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë është bërë e ditur edhe procedura që e ka shoqëruar këtë proces deri te vendimi. 
“Z. Isni Kilaj u lirua në Kosovë sot, më 15 maj, me kushte të rrepta, në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) të datës 3 maj 2024. Në vijim ky vendim u konfirmua edhe nga një panel i Gjykatës së Apelit i DHSK-së më 13 maj 2024. Në Vendimin mbi Rishikimin e Paraburgimit të Isni Kilajt, Gjykatësi i Vetëm konstatoi se ende ekziston dyshimi i bazuar se z. Kilaj ka kryer, vetë ose së bashku me të tjerë, vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Gjykatësi i Vetëm konstatoi gjithashtu se vazhdon të ekzistojë rrezik i moderuar që z. Kilaj të arratiset dhe mund të pengojë ecurinë e procedurave penale dhe të kryejë vepra penale të tjera”, thuhet në komunikatë. “Ai konstatoi më tej se asnjë prej kushteve të paraqitura nga Mbrojtja e z.Kilaj dhe asnjë nga kushtet e tjera të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm nuk mund të kufizojnë plotësisht aftësinë e z. Kilaj për të penguar ecurinë e procedurave të DHSK-së dhe për të kryer vepra penale të tjera. Megjithatë, Gjykatësi i Vetëm arriti në përfundimin se zgjatja e paraburgimit të z. Kilaj në rrethanat aktuale do të ishte e paarsyeshme, duke marrë në konsideratë prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën e tij për liri në rrethanat e zhvillimeve të reja”. 

Bëhet e ditur se Kilaj lidhur me veprat penale për të cilat konsiderohet i dyshuar mund të dënohet me burgim prej 1 deri në 5 vjet dhe se kërkesa e kohëve të fundit që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i paraqiti Gjykatësit të Vetëm për pezullimin e shqyrtimit të aktakuzës së dorëzuar prej saj, për shkak se synon të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar, e vonon në mënyrë të konsiderueshme kalendarin e procesit. 

“Për këtë arsye, Gjykatësi i Vetëm vendosi që rreziqet që do të rezultonin prej lirimit të z. Kilaj nuk peshojnë më shumë se e drejta e tij themelore për liri. Më 13 maj, paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi apelin e ZPS-së kundër vendimit. Apeli i ZPS-së fokusohej në kushtet e lirimit të z. Kilaj të urdhëruara nga Gjykatësi i Vetëm. Ndonëse është liruar, z. Kilaj vazhdon të jetë i dyshuar në proceset e DHSK-së dhe lirimi i tij është objekt i kushteve të rrepta të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm”, bëhet e ditur në njoftim. 

Gjykatësi i Vetëm ka theksuar se në rast të mospërmbushjes së ndonjë prej kushteve, do të lëshohet menjëherë urdhër për arrestimin e Kilajt.

Isni Kilaj ishte arrestuar në nëntorin e vitit të kaluar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “shkelje e sekretit të procedurave”. Siç thuhet në komunikatën për media të Dhomave të Specializuara, Gjykatësi i Vetëm arriti në përfundimin se zgjatja e paraburgimit të Kilajt në rrethanat aktuale do të ishte e paarsyeshme dhe se rreziqet që do të rezultonin prej lirimit të tij nuk peshojnë më shumë se e drejta e tij themelore për liri.