Në margjina të Samitit të Procesit të Berlinit, liderë të Bashkimit Evropian i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në dialog e të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura. Mirëpo, kryeministri Albin Kurti nga ky samit u shpreh se dialogun me Serbinë nuk mund ta vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Para liderëve të Evropës kërkoi që Serbia të mos kalojë e pandëshkuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Kryeqyteti shqiptar të hënën u bë kryeqendra evropiane me mbajtjen e Samitit të Procesit të Berlinit, një ndër iniciativat më të rëndësishme brenda Bashkimit Evropian.
Me ceremoni kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, priti politikanët më të rëndësishëm të Evropës e të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë samit, pas shumë kohesh e me raporte të tensionuara, shtrënguan duart dy kryeministrat e shqiptarëve, Edi Rama e Albin Kurti.
Por, takim mes tyre në këtë ngjarje ndërkombëtare nuk pati.
Pjesë mori edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.
Kosovës dhe Serbisë iu kushtua një pjesë e fjalimit hapës të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Duke marrë shkas nga sulmi terrorist në Banjskë të Zvecanit, Scholz u shpreh se është koha që të dyja vendet të tejkalojnë konfliktet, gjë që mund të bëhet vetëm përmes dialogut.
"Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet që kanë vijuar për një kohë shumë të gjatë duke ju mbajtur juve në vend numëro. Përshkallëzimet e fundit në veri të Kosovës kanë vërtetuar sa e rëndësishme është kjo. Ne do të përfundojmë më në fund zbatimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur me anën e dialogut të normalizimit të udhëhequr nga BE-ja", tha Scholz.
Mirëpo në margjina të këtij samiti kryeministri Kurti ka thënë se dialogu nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Në një fjalim që ka mbajtur para të pranishmëve gjatë sesioneve punuese, Kurti ka kërkuar që Serbia të mos kalojë e pandëshkuar për sulmin në Banjskë.
"Katër herë në dy vjetët e fundit Serbia e ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë. Edhe njëzet e pesë vjet pas fushatës gjenocidale dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar", tha Kurti.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, deklaroi se konfliktet dypalëshe nuk duhet të mbajnë peng të ardhmen.
Michel theksoi se nuk duhet lënë “fantazmat” e së shkuarës të mbajnë peng të ardhmen e vendeve.
E kryeministri Rama kërkon bashkëpunim më të madh që premtimet e Samitit të Berlinit të realizohen.
“Ky Proces i Berlinit luan rol të rëndësishëm për të nxitur bashkëpunimin efektiv dhe operativ mes partnerëve tanë perëndimorë e Bashkimit Evropian, duke pasur integrimin në BE si dritën orientuese. Në fakt udhëtimi juaj ka nisur më shumë se 20 vite më parë në Ballkanin Perëndimor megjithatë ka qenë një rrugë mjaft e ngadaltë, zhgënjyese për ju në rajon dhe për ne Bashkimin Evropian, por tashmë të gjithë e dinë se është koha për të arritur premisën tonë për të realizuar këtë premtim... BE duhet të përgatitet për të mirëpritur anëtarë të rinj dhe duhet të jemi gati në të dyja anët deri në 2030”, tha Michel. .
“Për këto 9 vjet kemi përftuar mjaft përvojë duke shkëmbyer pikëpamje dhe duke mësuar që të biem dakord që nuk biem dakord. Më duhet të theksoj se premtimet ekonomike të Procesit të Berlinit nuk janë realizuar plotësisht për ta thënë në mënyrë të butë. Angela Merkel e theksoi këtë në Procesin e Berlinit në takimin e Polonisë dhe tha që demokracia pa infrastrukturë nuk mund të funksionojë si duhet", tha Rama.
Liderët para Piramidës së Tiranës bënë edhe një fotografi familjare, por tek pas shkrepjes në radhë u bashkua kryeministrja serbe.
Tirana kishte përgatitur edhe koreografi të ndryshme, ku morën pjesë edhe valle nga Serbia.
Në të gjithë këtë ceremoni të valleve mungoi flamuri i Kosovës.
Në Samit u nënshkrua marrëveshja rajonale për njohjen reciproke të kualifikimit profesional.
E përfaqësues të lartë të BE-së thanë se me angazhimin e shteteve për reforma të nevojshme blloku evropian është duke u përgatitur për të pritur anëtarët e rinj deri më 2030.