LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja në Vushtrri lidh koalicion me LVV-në, qendra e qorton

Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës janë bërë bashkë në Vushtrri për garën e balotazhit në këtë komunë, ku i pret kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së, Ferit Idrizi. Por ky koalicion i nënshkruar të hënën është kundërshtuar nga LDK-ja në qendër, që edhe ka paralajmëruar masa konform statutit, por pas përfundimit të rundit të dytë

Kandidati për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i ka dalë kundër partisë së tij, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Të hënën, pa aprovimin e LDK-së në qendër, ka lidhur koalicion me Vetëvendosjen në Vushtrri.

Sipas rezultateve të KQZ-së, në Vushtrri do të ketë balotazh mes Ferit Idrizit të PDK-së e Sylejman Mehollit të LVV-së.

Sipas Mehollit, marrëveshja me Tahirin e LDK-së është lidhur me synimin që të ndryshohet qeverisja në Vushtrri.

“Vushtrria ka nevojë për ndryshim të kursit qeverisës për t’ia kthyer qeverisjen qytetarit, qytetit zhvillimin, e qytetarëve mirëqenien pa dallim. Dua të falënderoj nga zemra strukturat e LVV-së dhe LDK-së në Vushtrri, në veçanti z. Tahiri, për gjenerozitetin dhe gatishmërinë plot vullnet për t’u bërë bashkë për fitoren e madhe në Vushtrri! Nuk ka forcë që e ndalon fitoren tonë të përbashkët në Vushtrri!”, ka shkruar ai në Facebook.

E LDK-ja në qendër e ka quajtur të pavlerë marrëveshjen dhe ka thënë se ajo është bërë në mënyrë individuale nga kandidati i tyre në Vushtrri.

“Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjerë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë. Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës. LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse”, thuhet në reagim.

Kjo parti ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa ndaj Tahirit konform statutit të saj, por pasi të ketë përfunduar rundi i dytë i zgjedhjeve lokale më 9 nëntor. “Veprimet e tjera, sikurse ky i sotmi, janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së. Si të tilla, ato do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale. LDK-ja tani është e fokusuar në garën e saj elektorale të balotazhit dhe jo në garën e partive të tjera”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Këtë marrëveshje e ka prekur edhe kryetari i LDK-së, Lumr Abdixhiku, në një postim të tij. Edhe ai ka thënë se me degën e Vushtrrisë partia do të merret pas balotazhit.

“Çdo energji, çdo fokus, çdo aktivitet i LDK-së në këto ditë do të drejtohet vetëm për LDK-në. Do të drejtohet drejt garave tona; aty ku prijmë, aty ku garojmë, aty ku qytetarët tanë e presin fitoren e LDK-së. Dhe janë plot 9 komuna ku LDK sot garon; me 2 të fituara tashmë. Këtu mbetet puna jonë. Kështu projektohet LDK-ja jonë. Për veten, për kandidatët tanë e fitoret tona. Çështjet e tjera periferike, ato të pas humbjeve e protagonizmave kohë-humbëse, do të trajtohen menjëherë pas 9 nëntorit; dhe atë qartë e drejtë”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas statutit të LDK-së, kryesia e kësaj partie është organi vendimtar për koalicionet para dhe paszgjedhore në nivel lokal. Për shkeljen e statutit e përkrahjen e një kandidati tjetër në garën zgjedhore, Tahiri mund edhe të përjashtohet nga partia. “Largimi i anëtarit nga LDK-ja mund të bëhet në rast se: Abuzon me vlerat themelore dhe objektivat e LDK-së; Vepron kundër kandidatëve të LDK-së në zgjedhjet parlamentare, lokale apo në nivele të tjera; I përkrah subjektet e tjera politike dhe kandidatët e tyre në zgjedhje”, thuhet në statutin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Për pasojat me të cilat mund të përballet kandidati i LDK-së, Xhafer Tahiri, nuk janë shprehur të brengosur në degën e partisë në Vushtrri. Në njoftimin e kësaj dege të hënën, thuhet se vendimi për koalicion me Vetëvendosjen është përkrahur edhe nga asamblistët e zgjedhur.

“Qyteti ynë ka nevojë për ndryshim! Vendimet e mëdha nuk janë asnjëherë të lehta, por pavarësisht kostove individuale, për ne një gjë është e qartë – interesi i qytetarëve dhe i Vushtrrisë është mbi gjithçka. Marrëveshja jonë nuk afekton asnjë garë tjetër përveç Vushtrrisë. Së bashku me asamblistët e zgjedhur të LDK-së, dje jemi besatuar para Zotit që do ta sjellim këtë ndryshim. Me ndershmëri, punë dhe dashuri për qytetin tonë”, thuhet në njoftimin e degës.

Në zgjedhjet e 12 tetorit, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, është renditur i treti, pas Ferit Idrizit të PDK-së, që është edhe kryetar aktual dhe Sylejman Mehollit të Vetëvendosjes.

Xhaferi, që para Idrizit ishte kryetar i Vushtrrisë, kësaj here ka marrë 5 mijë e 976 vota apo 19.81 për qind, Meholli 30.77 për qind apo 9 mijë e 281 vota, kurse Idrizi 45.33 për qind apo 13 mijë e 672 vota.