Akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje se LDK-ja po tenton të pengojë votimin e diasporës u është përgjigjur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai ka thënë se vendimi i PZAP-së për të ndaluar mundësinë e votimit nëpër qendrat alternative ndalon mundësinë e vjedhjes së votave. Vendimin e PZAP-së e ka mirëpritur edhe PDK-ja
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se me vendimin e PZAP-së që të shpallet i jashtëligjshëm organizimi i votimit në dhjetë qendra alternative jashtë vendit, është ndaluar mundësia që ky proces të mbahet nëpër depo, salla dasmash dhe restorante.
Të dielën mbrëma, PZAP-ja ka rrëzuar vendimin e KQZ-së që të shtohen qendrat e votimit jashtë vendit për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Vendimi është marrë pas ankesës së LDK-së.
Në një postim në Facebook, të hënën, Abdixhiku ka thënë se Vetëvendosja po tenton të ndërtojë një sistem të vjedhjes së votave pasi, sipas tij, e ka humbur besimin e popullit.
“Mërgata kurrë më të lehtë nuk e ka pasur votimin. Përveçse zgjedhjet janë në fundvit, kur secili mund të jetë në atdhe; secili bashkatdhetar që nuk vjen këndej, mund të votojë në konsullatë e Ambasadë të Republikës, shtetit tonë. Mund të votojnë edhe me postë; secili në emrin e vet, me fletëvotim jo të printuar, por të pranuar nga shteti i vet”, ka shkruar Abdixhiku.
Vendimin e PZAP-së e kanë mirëpritur edhe në PDK.
“Paskan mbet keq tash edhe votat e mërgatës me i dërgu në sallat e ahengjeve të veta. Veç një gjë e kanë harru: ajo loja e vjetër e fabrikimit të votave dhe futjes së tyre kontrabandë nuk funksionon më. Koha ka ndryshuar. Mërgata do të votojë fuqishëm, si gjithmonë: kush vjen në Kosovë, kush shkon në ambasada e konsullata, e kush voton me postë. Kosova shtet ligjor, funksional e demokratik është vullnet i mërgatës, ashtu siç është i disa prej nesh këtu në Kosovë”, ka shkruar deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.
Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar LDK-në se po tenton ta pengojë diasporën që të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
“Është zhgënjyese të shihet përpjekja e vazhdueshme dhe kaq e hapur për të penguar votimin e mërgatës në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Mërgata është pjesë e pandashme e vendit dhe çdo tentim për t’i kufizuar këto të drejta është sulm ndaj vetë procesit demokratik”, ka shkruar në Facebook Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes gjithashtu anëtare e kryesisë së kësaj partie.
Në Vetëvendosje nuk kanë treguar nëse vendimin e PZAP-së do ta ankimojnë në Gjykatën Supreme.
E hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli në një postim në Facebook ka shkruar se vendimi i fundit i PZAP-së është një pikë kthese e rëndësishme për integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Sipas tij, ky vendim rivendos një standard të qartë ligjor dhe mbyll çdo dilemë për mënyrën e organizimit të votimit jashtë Kosovës.
“Por po aq e rëndësishme është që PZAP-ja i ndaloi përpjekjet për krijimin e një situate të paqenë, për ta paraqitur diasporën si të “penguar” nga votimi. Në fakt, as PZAP-ja, as parashtruesit e ankesës dhe askush tjetër nuk e ka “ndaluar diasporën”... Për më tepër, as në zgjedhjet e 9 shkurtit, që ishin të rregullta dhe me afate dukshëm më të gjata, pothuajse asnjë qendër jashtë vendit nuk e arriti kapacitetin maksimal të votuesve që mund të regjistroheshin. Pra, nuk ka pasur kërkesë që i tejkalon kapacitetet ekzistuese”, ka shkruar Cakolli.
Të mërkurën, Komisioni Qendror Zgjedhor mori vendim që pos në 50 përfaqësitë diplomatike në 36 shtete, votimi të organizohet edhe në 10 qendra votimi alternative jashtë objekteve të ambasadave e konsullatave të Kosovës. Pesë nga këto qendra ishin caktuar në Gjermani, tri në Zvicër, një në Mbretërinë e Bashkuar dhe një tjetër në SHBA.
Sipas PZAP-së, vendimi bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, neni 96 i cili në pikën 3.1 përcakton se votimi fizik nga jashtë vendit bëhet “në përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësira të tyre”.
Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ, ka njoftuar se deri të dielën janë aprovuar mbi 14.600 kërkesa për votim nga jashtë dhe procesi po vazhdon normalisht. Shumica prej tyre kanë aplikuar për votim me postë.
“Mbi 10 mijë e 500 prej tyre kanë përzgjedhur mënyrën e votimit për të dërguar pakon e fletëvotimit në ndonjërën nga adresat e kutive postare që KQZ i hap në shtetet e ndryshme të botës dhe mbi 500 të tjerë janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, mbi 3500 shtetas të tjerë janë regjistruar për të votuar fizikisht”, ka thënë Elezi.
Ai ka thënë se KQZ-ja mund të ndërmarrë masa vetëm në rast të plotfuqishmërisë së vendimeve.
Në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit të këtij viti, për herë të parë është mundësuar votimi fizik nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës.