LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja kallëzon penalisht Kurtin dhe vartësit e tij

Ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë së tij, të cilët janë zgjedhur deputetë, përfaqësues të Lidhjes Demokratike kanë dorëzuar të enjten kallëzime penal për keqpërdorim të detyrës dhe të autoritetit zyrtar. Zyrtarë të LDK-së, parti kjo që është ranguar e treta në zgjedhjet e 9 shkurtit, kanë pretenduar se mbajtja njëkohshëm e detyrave në Qeveri dhe në Kuvend përbën shkelje të Ligjit për Qeverinë dhe shkelje të Kodit Penal

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike (LDK) kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe anëtarëve të qeverisë në detyrë, të cilët janë zgjedhur edhe deputetë.

Me këtë kallëzim penal, LDK-ja pretendon se kryeministri, ministrat dhe një zëvendësministre, duke ushtruar njëkohshëm edhe postin e deputetit, e kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar duke i shkelur nenin 26 të Ligjit për Qeverinë dhe nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës.

“Prej datës së certifikimit edhe më sot vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat e ministrive, duke shfrytëzuar resurset dhe marrë vendimet që kanë pasoja financiare dhe të tjera. Po ashtu duke shfrytëzuar resurset e Republikës së Kosovës këta kanë konsumuar vepër penale e sanksionuar kjo në nenin 414 të Kodit të Procedurës Penale”, ka thënë Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së, pas dorëzimit të kallëzimit penal.

Ajo ka shprehur pritjen që Prokuroria Speciale t’i nisë hetime ndaj anëtarëve të qeverisë në detyrë, të cilët janë edhe ligjvënës, dhe t’i shqyrtojë të gjitha vendimet e Qeverisë, të marra pas datës së certifikimit të rezultatit zgjedhor.

“Grupi i juristëve, i koordinuar nga zonja Xhelili, kanë kërkuar qasje në dokumente disa kemi marrë disa të tjerë jo, por me ato informata që kemi marrë iu kemi drejtuar Prokurorisë Speciale. Tani është në dorën e prokurorisë që të kërkojnë qasje në vendime të tjera”, ka shtuar ajo.

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kanë reaguar pas padisë së LDK-së. Kallëzimet e dorëzuara, ata i kanë vlerësuar si veprime që lidhen me interesa të ngushta.

“Asnjë kallëzim penal Listës Serbe, asnjë kallëzim penal ShIK-ut, dhe natyrisht tash kallëzim penal Qeverisë së Kosovës”, është shprehur deputetja e LVV-së, Arbreshë Kryeziu-Hyseni.

Dorëheqjet e anëtarëve të kabinetit qeveritar janë evidentuar në procesverbalin e Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve, tek në tentimin e tretë për ta konstituuar Kuvendin. Deri atëherë, deputetët e LDK-së kanë votuar kundër raportit. Ndërkaq kanë kërkuar publikisht që kryeministri dhe anëtarët e tjerë të qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, më të mos paraqiten në zyrë dhe as t’i ushtrojnë funksionet në ekzekutiv.