Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja hesht lidhur me nismën për shkarkim të Abdixhikut

Lumir Abdixhiku

Foto: Driton Paçarada

Gjatë së hënës, KOHA ka provuar të marrë përgjigje nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, zëdhënësi Besian Mustafa dhe nënkryetari Lutfi Haziri lidhur me nismën për thirrjen e kuvendit të jashtëzakonshëm, por nuk kanë qenë të qasshëm. E Vjosa Osmani, që në zgjedhjet e fundit ishte bartëse e listës, ka thënë se deri më tash nuk është dorëzuar asnjë nënshkrim, por pa e komentuar nismën

Procesin e nisur qe pesë ditë, nuk e kanë konkretizuar ende delegatët e Kuvendit  të Lidhjes Demokratike që janë të pakënaqur me kryetarin Lumir Abdixhiku.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Të dielën KOHA ka raportuar se një grup përfaqësuesish të LDK-së ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kuvendit të partisë me qëllim shkarkimin e kryetarit Abdixhiku.

E të hënën, Vjosa Osmani është takuar me kryetarin që po i konstestohet pozita. Ajo është shprehur se deri tash nuk është dorëzuar ndonjë nënshkrim në seli.

“Nuk jemi takuar vetëm me zotëri Abdixhikun kemi pasur edhe takime të tjera, kemi biseduar si të ecim përpara edhe më fuqishëm. Nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri tani, nuk ka diçka të tillë”, ka thënë ajo.

Osmani i ka prirë listës së LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit.

Gjatë së hënës, KOHA ka provuar të marrë përgjigje nga kryetari Abdixhiku, zëdhënësi Besian Mustafa dhe nënkryetari Lutfi Haziri lidhur me nismën për thirrjen e kuvendit të jashtëzakonshëm, por nuk kanë qenë të qasshëm.

Përgjigje nuk ka ofruar as kryetari i degës së Pejës, Gazmend Muhaxheri që para 12 ditësh ka kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut.

Asnjë nga zyrtarët e LDK-së nuk ka konfirmuar se a janë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e kuvendit, por disa delegatë kanë konfirmuar se e kanë nënshkruar kërkesën.

Por nëse ky kusht përmbushet dhe kërkesa deponohet në organet e partisë, atëherë fillon rrjedhja e afatit për thirrjen e kuvendit, që përcaktohet në nenin 17 të statutit të LDK-së.

Sipas statutit të LDK-së, nga momenti i dorëzimit të kërkesës që duhet të përmbajë nënshkrimet e të paktën një të tretës së delegatëve të LDK-së, Kuvendi i jashtëzakonshëm duhet të mblidhet brenda 60 ditëve”.

Abdixhiku me një votëbesim është përballur edhe më 31 janar të këtij viti, pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, ku LDK-ja ka marrë 13.24% të votave.

Ai i ka mbijetuar votëbesimit, por pakënaqësitë në parti janë shfaqur edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ku subjekti është rritur me 3.45 pikë të përqindjes, ndonëse në krye të listës është vendosur Vjosa Osmani që ishte larguar nga partia më 2020.

Sipas analistit politik Afrim Kasolli, LDK-së nuk do t’i sjellë stabilitet as qëndrimi, e as largimi i Abdixhikut si kryetar partie.

Kasolli ka thënë se konfliktet brenda partisë më të vjetër në vend janë shpërfaqje e mungesës së identitetit politik.

“I duhet në një farë mënyre ta rithemelojë vetveten politikisht, do të thotë ta gjejë vetveten në situatat e reja. Prej, ne kemi parë që prej vdekjes së ish-presidentit Rugova ky subjekt politik në masë të madhe ka qenë goxha i humbur në kohë dhe në hapësirë, nuk ka arritur ta gjejë veten si duhet dhe kryesisht ka oskiluar ndërmjet dy prirjeve politike. Në njërën anë një grup i cili e ka preferuar më tepër bashkëpunimin me Partinë Demokratike të Kosovës, kurse në anën tjetër do të thotë grupi tjetër i cili është revoltuar për këtë bashkëpunim dhe ka preferuar më shumë bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë Kasolli.

Në mars të vitit 2021, një muaj pasi LDK-ja ka rënë në 12.73%, Lumir Abdixhiku ka marrë drejtimin e partisë nga Isa Mustafa.

Ai është rizgjedhur kryetar në Kuvendin e mbajtur në nëntor të vitit 2023.