LAJMET E MBRËMJES

LDK-ja e quan të paaftë Qeverinë për t’u përballur me problemet në shëndetësi

Lidhja Demokratike e Kosovës ka adresuar kritika ndaj Qeverisë Kurti dhe ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, për, siç ka thënë, paaftësinë për t’iu përgjigjur problemeve të sektorit të shëndetësisë. Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Ekrem Hyseni, ka përmendur problemet që po përballet sektori i shëndetësisë, duke filluar nga mosrealizimi i investimeve kapitale, ikja e profesionistëve shëndetësorë, mungesa e barnave e listat e pritjes për kryerjen e shërbimeve në QKUK.

“Pandemi” të re e ka quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës menaxhimin e shëndetësisë në vend, ndërkohë që ka thënë se Qeveria është e paaftë për të kryer punë.

Në një konferencë për media, të dielën, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ekrem Hyseni, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë profesionistët shëndetësorë po i trajton me lëmoshë, derisa investimet kapitale në këtë fushë, sipas tij, janë realizuar vetëm 5 për qind.

“Është kjo Qeveri që profesionistët shëndetësorë vazhdon t’i trajtojë me lëmoshë, gjersa vetëm për pak kohë mbi 120 profesionistë shëndetësorë e kanë lënë vendin, ndër ta edhe 40 specializantë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Qeveria Kurti në javët e para të qeverisjes së saj nuk ua vazhdoi kontratat mbi 1 mijë pjesëtarëve të stafit mbështetës në luftën kundër pandemisë.

Ka përmendur edhe kërkesat e qytetarëve për trajtim jashtë vendit.

“Në kohën e kësaj qeverie, përkatësisht në periudhën janar – maj 2022, mbi 520 qytetarë tanë kanë kërkuar shërim jashtë vendit”, ka theksuar Hyseni.

Si shqetësim ka ngritur mungesën e anesteziologëve, për çka ka raportuar KOHA të shtunën.

“Në kohën e kësaj qeverie, në QKUK janë vetëm 48 anesteziologë, të cilët duhet të shërbejnë për 44 njësi – pra as dy sish për njësi operuese”, ka pohuar Hyseni.

Dështim të Qeverisë e ka quajtur edhe stërzgjatjen e listave të pritjes së qytetarëve për të marrë shërbime shëndetësore, duke thënë se para ardhjes së kësaj qeverie pritja ka qenë vetëm deri në dhjetë ditë, ndërsa tani lista është deri në mesin e vitit 2023.

“Në kohën e kësaj qeverie, mungesa e barnave në Listën esenciale tashmë është bërë e zakonshme, me theks të veçantë shumë prej ilaçeve për sëmundjet malinje, të cilat janë të domosdoshme për mjekimin e kësaj sëmundjeje të rëndë”, ka thënë ai.

Iu referua edhe një raporti të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), në të cilin thuhet se Ministria e Shëndetësisë ka paguar 280 për qind më shtrenjtë 1 gr Paracetamol për injeksion në krahasim me vlerën e tregut me pakicë.

“Në kohën e kësaj qeverie është ulur buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë për rreth 60 milionë euro. Në Ministrinë e Shëndetësisë, nga 15 projekte kapitale, kanë nisur vetëm 2 prej tyre dhe atë në vlera minimale. Në këtë ministri, gjatë këtyre 6 muajve janë shpenzuar vetëm 5 për qind nga buxheti për investime kapitale, më saktësisht, nga 10.063.000 euro janë shpenzuar vetëm 530.702 euro”, ka theksuar Hyseni.

Në Qeverinë Kurti, sipas tij, dominon arroganca, mosveprimi, propaganda dhe jodëgjueshmëria profesionale, duke e quajtur atë qeverisje të paaftë dhe populiste.

“Ne si parti opozitare kemi ofruar Ligjin për shëndetësinë, në mënyrë që t’ju dalim në mbrojtje qytetarëve dhe profesionistëve shëndetësorë, ndërsa si kundërpërgjigje kemi marrë padëgjueshmërinë”, ka theksuar Hyseni.

Ka kujtuar një deklaratë të ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili kishte deklaruar se në rast të dështimit do të kthehej nga ka ardhur, duke thënë se një mendësi e tillë është e frikshme.

“Nëse këta që kanë dështuar vendosin edhe ta pranojnë dështimin, i bie që ministri në fjalë mjaftohet me ikje nga vendi. Kësaj qeverie, edhe sot i bëjmë thirrje dhe i themi që: provo për të dëgjuar, provo për të mësuar dhe në fund për të punuar, ndryshe do të mbeteni vula e dështimit dhe e dëmtimit të shëndetit të krejt qytetarëve të vendit”, ka theksuar Hyseni.