Rezoluta për gjendjen në shëndetësi dhe për sigurimet shëndetësore nuk është votuar të enjten, teksa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se votimi do të mbahet në një rast tjetër. Në seancën parlamentare, të thirrur nga AAK-ja, deputetë të partisë në pushtet dhe ata të opozitës kanë këmbyer akuza ndaj njëri-tjetrit mbi gjendjen aktuale të sektorit të shëndetësisë, si dhe për mosjetësimin e sigurimeve shëndetësore, që si iniciativë qe nisur në vitin 2014
Në mungesë të kuorumit, Kuvendi nuk e ka votuar të enjten rezolutën për gjendjen në shëndetësi dhe për sigurimet shëndetësore në seancën e thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe që ka zgjatur rreth shtatë orë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se votimi i kësaj rezolute do të mbahet në një rast tjetër, pasi të enjten numri i deputetëve të pranishëm në sallë nuk ka qenë i mjaftueshëm.
E para kësaj, debati parlamentar për çështjen është përcjellë me akuza midis deputetëve të pushtetit dhe atyre të opozitës.
Shemsedin Dreshaj, deputet i AAK-së, ka kritikuar Qeverinë teksa ka thënë se Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon dhe në Evropë që nuk ka sigurime shëndetësore. Ai ka theksuar se jetësimi i sigurimeve nuk do të jetë i mundur deri në përfundim të mandatit të Qeverisë aktuale tek e ka kërkuar angazhimin e të gjithë spektrit politik për implementimin e tyre.
“Ndikim të fuqishëm do të ketë edhe fakti se pas qershorit të këtij viti hyjmë në periudhën e ngushtë të zgjedhjeve parlamentare, kështu që interesi dhe përkushtimi do t’i bjerë. Ligji për sigurime shëndetësore pritet të ndodhë këtë vit, por me miratimin e këtij ligji, çdo gjë nuk është e përmbyllur”, ka thënë ai.
Debat i ashpër për sigurimet shëndetësore, iniciativa për jetësimin e të cilave ka nisur më 2014, është zhvilluar midis ligjvënësve të Partisë Demokratike (PDK) dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Tek i ka hedhur poshtë kritikat që iu bënë për mungesën e finalizimit të sigurimeve shëndetësore brenda mandatit, Vitia ka thënë se sfidë për këtë kanë përbërë pandemia COVID-19, si dhe gjendja në të cilën ai e ka gjetur sektorin e shëndetësisë.
“Në vitin 2019, ne si subjekt politik, kemi thënë se Fondi për sigurimet shëndetësore nuk mund të funksionalizohet pa 4 deri 5 vjet punë intensive. Subjektet e tjera politike e mbaj mend, dhe ministrat e tyre, në fushatë, duke e anashkaluar faktin se edhe ata kanë qenë në pushtet dhe kontribuues të kësaj gjendjeje, premtonin se fondin do ta funksionalizonin për 18-24 muaj. Bile bëhej garë se cili 18 e cili 24”, ka thënë ai.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i ka reaguar ministrit Vitia kur ai e përdori si arsyetim pandeminë.
“Sa herë që për justifikim e përdorni pandeminë duhet t’jua rikujtoj që në kohën e pandemisë jeni tërheqë nga posti i ministrit të Shëndetësisë për të garuar për kryetar të Prishtinës”, ka thënë Haxhiu.
E Vitia ka thënë se veprime në drejtim të funksionalizimit të fondit për sigurime shëndetësore do të ketë vetëm pasi që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme.
“Çdo dështim në përpjekje për ta funksionalizuar Fondin, ashtu siç duhet, mund të sjellë pasoja katastrofike dhe shtyrje të këtij procesi të rëndësishëm. Prandaj, nuk ka më eksperimente, jo më veprime pa analiza, jo më tallje me qytetarë, jo më shpenzime marramendëse të parave publike pa asnjë rezultat, jo më përpjekje për të futur duart në pagat e qytetarëve pa krijuar parakushte. A mund të ketë vonesa...., mundet, por vetëm kur jemi të sigurt që janë marrë të gjitha masat, ne do të veprojmë”, ka thënë ai.
Deputeti Haxhiu i ka adresuar ministrit edhe akuza të tjera. Krahas ikjes së mjekëve nga Qendra Klinike Universitare (QKUK), ai e ka akuzuar ministrin Vitia edhe se për interesa të spitaleve private, dikasteri që ai e drejton ka reduktuar shtretërit në mjekimin intensiv.
“Sot mjekimi intensiv ka funksional 21 shtretër, reduktim i kapaciteteve që dërgon në përfitim të klinikave private, sepse një natë përkujdes intensiv në privat është 1.000 euro e prandaj janë reduktuar shtretërit. Jo veç që janë reduktuar, por janë luftuar edhe profesionistët më të mirë që janë në kujdesin intensiv. Jo rastësisht e kemi ikjen e anesteziologëve nga kjo klinikë. Në vitin 2020 kanë qenë 64 specialistë të anesteziologjisë, prej tyre 22 janë larguar për shkak të presioneve dhe trajtimit jo të duhur”, ka deklaruar ai.
Por ministri Vitia i ka kualifikuar të pavërteta pretendimet e Haxhiut.
“Për mjekimin intensiv qendror, ju e dini zotëri Haxhiu, e keni bërë në qeverisjen kur ju keni qenë, pa pranim teknik. Pse bre zotëri Haxhiu, pse është bërë kjo? Ju e dini çka ndodh kur bëhet pa pranim teknik. Ju thatë edhe diçka të pavërtetë. Thatë se 22 anesteziologë, zotëri Haxhiu 58 kanë qenë më 2020, 50 janë tash. Thatë 22 minus”, është shprehur Vitia.
Ministri i Shëndetësi ka polemizuar edhe me deputetin e LDK-së dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili e ka kritikuar që gjatë tre vjetëve të qeverisjes aktuale nuk ka pasur asnjë lëvizje pozitive në fushën e shëndetësisë.
“Në karrierën time nuk kam dëgjuar e as nuk kam parë e lexuar se një Qeveri mund të shpenzojë 75 për qind të kohës në qeverisje pa lënë asnjë shenjë në shëndetësi”, ka thënë Zemaj.
Por Vitia iu kundërpërgjigj, duke thënë se as ai në kohën sa e ka ushtruar detyrën e ministrit nuk është mbajtur mend për rezultate, porse veç për dështime.
“Zotëri Zemaj, 10 muaj keni qenë ministër. 3 gjëra që mbaj mend nga ju janë të dështuara. Specializimet, e para. E dyta, e keni ulur buxhetin për barna dhe e treta keni bërë rendera duke e kthyer klinikën emergjente në klinikë covidi”, ka thënë Vitia.