Kuvendi e përmbylli sesionin pranveror me seancë plenare që dështoi të mbahej në mungesë kuorumi. Nga opozita u adresuan akuza ndaj partisë në pushtet për mbylljen e seancës me qëllim të moslejimit të diskutime që përfaqësues të saj synonin t’i ngrinin rreth rastit të përgjimeve të shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me përfaqësues të Listës Serbe. E seanca që dështoi, e shtyu për në shtator trajtimin e mbi 20 pikave, mes të cilave edhe projektligje e marrëveshje ndërkombëtare
Deputetët nuk e kanë përbërë të premten numrin e nevojshëm për zhvillimin e seancës së fundit të Kuvendit, për sesionin pranveror.
Mungesa e tyre e dështoi mbledhjen plenare, që në rend dite pati 24 pika.
Kuorumin nuk e përbënë as ligjvënësit e partisë në pushtet, të cilët ndryshe prej atyre të opozitës, i patën dhënë mbështetje mbajtjes së kësaj seance në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.
“Ka kaluar një orë prej kur e kemi pasur të paraparë të fillojmë me seancën, ende nuk kemi kuorum. Unë propozoj që ta mbyllim për këtë sesion”, tha nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.
Shtyrja e seancës për sesionin vjeshtor u vlerësua si e qëllimshme nga përfaqësuesit e opozitës.
Ata adresuan akuzua kundër partisë në pushtet për mbylljen e seancës me qëllim të pamundësimit të diskutimeve mbi përgjimet e shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, me përfaqësues të Listës Serbe.
“Sot në mënyrën më të turpshme të mundshme ky koalicion, koalicioni ‘Zdravo’ e mbylli këtë seancë për të cilën ishim ftuar që të jetë seanca e fundit e sesionit pranveror dhe e mbyllën këtë seancë vetëm për vetëm për të na pamundësuar që të diskutojmë rreth çështjes së aferës ‘Zdravo’”, tha Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.
“Pasi është deklaruar në kryesi se nuk do të ketë eskalime të dhunës, por vetëm diskutime dhe kërkim sqarime. Si duket LVV-ja ka preferuar heshtjen dhe ikjen nga përgjegjësia institucionale në këtë rast”, shtoi shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.
“Sot jeni dëshmitar të anulimin të qëllimshëm të një seance vetëm e vetëm me i ik përgjegjësisë të skandalit Zdravo”, u shpreh Besnik Tahiri i AAK-së.
E këtyre akuzave iu kundërpërgjigj deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja. Ai insistoi se nuk i është ikur debatit, porse nuk e komentoi mungesën e bashkëpartiakëve.
“Seanca duhet të ketë kuorumin e nevojshëm për të filluar, ishin deputetët e shumicës edhe nga opozita, por mjerisht nuk ishin mjaftueshëm për të filluar. Ne kishim planifikuar të qëndrojmë, pasi kemi pas edhe ligje që do të duhej të kalonin në këtë sesion”, deklaroi Muja.
Përfaqësues të partive opozitare e vlerësuan si të dobët punën parlamentare që e ka bërë legjislatura aktuale gjatë këtij sesioni. Për rreth 7 muaj, Kuvendi ka miratuar mbi 40 ligje, një numër prej të cilave opozita i ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese.