Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e ka konstatuar të konstituuar Kuvendin e Kosovës, me përmbylljen e procesit të fundit - votimin e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb. Zgjedhja e Nenad Rashiqit u bë pas 27 proceseve të votimit, në të cilat kandidatët e propozuar nga Lista Serbe dështuan të marrin votat e mjaftueshme për nënkryetar. Rashiqi, deputet i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, mori mbështetjen e deputetëve të LVV-së, të LDK-së e të pakicave joserbe. Kundër ishin deputetët e Listës Serbe, ndërsa abstenuan ata të PDK-së
Njëzetë e tetë raunde votimi u janë dashur deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për ta zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, në seancën që përmbylli procesin e konstituimit të nisur gjashtë muaj më parë.
Derisa radha për t’u votuar i erdhi Nenad Rashiqit, deputetit nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Lista Serbe dështoi të sigurojë votat e mjaftueshme për nëntë deputetët e saj. Tri procese votimi u organizuan për secilin nga deputetët: Slavko Simiq, Zlatan Elek, Liljana Stefanoviq, Miljana Nikoliq, Branislav Nikoliq, Stefan Kovaçeviq, Srdjan Popoviq e Igor Simiq. Por, asnjëri nga ta nuk mori më shumë se 9 vota të deputetëve, nga 105 deputetë sa morën pjesë në votim. Kundër tyre votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe shumica e deputetëve të grupit multientik. Ndërkaq, abstenuan deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së. E, disa nga deputetët e nga komunitetet joserbe herë abstenonin e herë nuk merrnin pjesë në votim.
Pas dështimit të deputetëve të Listës Serbe, kryeparlamentari Dimal Basha, bëri thirrje që kjo parti të propozojë për nënkryetar deputetin, Nenad Rashiq.
“Janë ezauruar propozimet për nëntë kandidatët të komunitetit joshumicë serb edhe asnjëri prej tyre nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për tu zgjedhur nënkryetar. E ftoj përfaqësuesin e komunitetit jo shumicë serb që të vazhdoj më propozimin e kandidatit tjetër nga komuniteti serb për pozitën e nënkryetarit”, tha ai.
Përgjigje nuk mori nga Lista Serbe. Kërkesën e përsëriti edhe njëherë e për t’u konsultuar te foltorja i shkoi deputeti Igor Simiq. Thirrje Listës Serbe i bëri edhe për herë të tretë.
“E kemi edhe një deputet nga komuniteti serb i cili nuk është propozuar asnjëherë”, tha Basha.
Por Simiq i Listës Serbe tha se në votim kanë nxjerrë kandidatët që i përkrahin dhe se nëse ndërmerren veprime të tjera atëherë do të shkelnin rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
“Ky vend (posti i nënkryetarit serb) i takon vetëm kandidatit që i ka nëntë nënshkrime”.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkonte që nga Lista Serbe të deklarohen që refuzojnë propozimin e Nenad Rashiqit, për nënkryetar të Kuvendit.
“Për herë të fundit po ju ftoj te deklaroheni nëse doni të propozoni apo jo, kjo është në vullnetin e lirë të juajin. Nëse nuk i dorëzoni nënshkrimet, siç parashihet në rregullore, jemi në rregull. Unë do ta marrë këtë si refuzim, por ju lus edhe njëherë për hir të konstruktivitetit të deklaroheni nëse doni ta propozoni edhe kandidatin i cili nuk është propozuar asnjëherë”.
Në interpretimin e deputetit të Listës Serbe, propozimi i Rashiqit do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën.
“Ne nuk do të marrim pjesë në shkeljen e Kushtetutës dhe nuk do të na detyroni në këtë gjë”, deklaroi Simiq.
Pas kësaj, kryetari i Kuvendit konstatoi se Lista Serbe refuzon të propozojë të vetmin deputet serb, që nuk iu nënshtrua votimit. Ai tha se, në bazë të rregullores, në rrethanë të tillë vihet në funksion procedura e shortit si mekanizëm debllokues.
“Kjo është në harmoni me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, arsyetoi Basha.
Por, më pas tha se shorti nuk ka nevojë të zhvillohet, meqë bëhet fjalë vetëm për një deputet. Basha e vuri në votim zgjedhjen e Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit. Me votat e deputetëve të Vetëvendosjes, të Lidhjes Demokratike e të pakicave joserbe, Rashiqi u zgjodh nënkryetar. Kundër votuan nëntë deputetët e Listës Serbe e abstenuan ata të PDK-së e të AAK-së. Për Rashiqin votuan 71 deputetë, kundër ishin 9 deputetë, ndërsa 24 abstenuan.
Me zgjedhjen e tij, kryeparlamentari Basha e konstatoi të konstituuar Kuvendin.
Mst: PDK-ja e Lista Serbe kontestojnë konstituimin
Konstituimi i Kuvendit, u kontestua nga Partia Demokratike e Kosovës e Lista Serbe. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ngriti dyshime për mënyrën e votimit të kandidatit për nënkryetar, Nenad Rashiq.
“Nuk jam i sigurt sepse këtu nuk pati as short. Unë mendoj se ka pasur hapësirë tjetër për konstituim legal apo kushtetues. E pashë që kryetari i Kuvendit mundohej të konsultohej me ata që i japin instruksione, sesa të bëjë një interpretim për konstituim apo jo”, deklaroi Krasniqi.
Megjithatë ai tha se nuk do të ndërmarrin veprime në kundërshtim të vendimit të Kuvendit e shprehu shpresën që ai të mos përfundoj sërish në Gjykatën Kushtetuese.
“Tashmë, fatkeqësisht, kemi pasur disa lëndë në Gjykatën Kushtetuese dhe shpresoj që nuk do të ketë më dhe do të ecim me një dakordim për të ecur përpara në zgjedhje të parakohshme. Sa i përket neve, konstatimi i kryetarit është valid dhe shohim e bëjmë nëse ka ndonjë ndryshim nga ana e tyre”, tha ai.
Por Gjykatës Kushtetuese paralajmëruan se do t`i drejtohen Lista Serbe. “Lista Serbe do të ankohet ndaj këtij vendimi të Kuvendit. Ne kemi shqyrtuar ligjin edhe para disa kohe kur kemi thanë se Kuvendi nuk është i konstituar, ndërsa ata festuan konstituimin gjithashtu kundërligjshëm”, deklaroi deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq.
“Qytetarët meritojnë institucione funksionale, meritojnë që institucionet të punojnë ne dobi te qytetarëve, por gjithashtu respektimi i të drejtave të popullit serb dhe atë që kërkojmë jo në dëm të askujt, sepse do t'ju kujtoj, ju thashë herën e kaluar se sot po shkelin të drejtat e popullit serb, nesër do të shkelin edhe të drejtat e popullit shqiptar, nëse nuk mendojnë siç mendon regjimi i Albin Kurtit”, tha ai.
I bindur se veprimet që ka ndërmarrë janë në përputhje me Kushtetutën e aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese është shprehur kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.
“Secilit kandidat i është dhënë mundësia për t’u votuar nga tri herë, ka mbetur një kandidat i vetëm derisa deputetët refuzuan për ta propozuar kandidatin e dhjetë atëherë me doemos unë duhet të ia ofrojë mundësinë e barabartë. E ju siç e dini, Kushtetuta e Kosovës nuk e përcakton se cilës parti duhet t’i takojë deputeti serb”, ka thënë ai në një konferencë për media, pas përmbylljes së seancës.
Në lidhje me dyshimet e PDK-së, Basha tha se Gjykata Kushtetuese është adresa.