Në rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës është dënuar sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës që ndodhi të dielën në Banjskë. Në këtë dokument, ligjvënësit kanë kërkuar hetim ndërkombëtar për përfshirjen e Serbisë në këtë aktivitet terrorist. Madje, kryeministri Albin Kurti i kërkoi Perëndimit ndëshkimin e Serbisë dhe ekstradimin në Kosovë të sulmuesve që u arratisën
Me një minutë heshtje, të zgjedhurit e popullit kanë nderuar policin e Kosovës, Afrim Bunjaku, që u vra të dielën në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit. Në seancën e Kuvendit, që në agjendë pati zhvillimet e fundit në veri, grupet parlamentare u pajtuan që me rezolutë ta dënojnë sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, që, siç është thënë, është organizuar nga Republika e Serbisë. Me këtë dokument të hartuar nga të gjitha grupet parlamentare, përveç Listës Serbe, iu kërkua Perëndimit që të hetojë përfshirjen e Serbisë dhe të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen që i ka bërë grupit terrorist.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës konstaton nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë”, ka thënë kryeparlamentari Glauk Konjufca në lexim të rezolutës.
Rezoluta ka vlerësuar punën dhe rezultatet e institucioneve të sigurisë së Kosovës e të atyre ndërkombëtare, me ç’rast i kanë ofruar mbështetje Policisë në ushtrimin e përgjegjësive të saj për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Me këtë dokument është inkurajuar edhe pluralizmi politik në radhët e komunitetit serb, gjë që sipas ligjvënësve do ta mundësonte progresin demokratik dhe promovimin e interesave reale të tij. Mes tjerash, Qeverisë i është kërkuar ta avancojë bashkëpunimin me aleatët.
“Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunojë me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, për të fuqizuar shtetin e së drejtës dhe vlerat e përbashkëta euroatlantike”, ka thënë Konjufca.
E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia është përgjegjëse për sulmin terrorist në Banjskë, që qëllim, sipas tij, kishte cenimin e integritetit territorial, sovranitetit shtetëror dhe sigurisë kombëtare. Ai është shprehur se grupit terrorist që sulmoi policinë, shteti serb ia dha pajisjet ushtarake, ia kreu trajnimet luftarake dhe gjithashtu qëllimet politike e mbështetjen logjistike. Teksa shtroi disa kërkesa për komunitetin ndërkombëtar, Kurti ka thënë se nga faktet e prezantuara, fajësimi i Serbisë është i pashmangshëm edhe për ata që nuk duan t’i shohin ato.
“Sulmuesit të cilët arritën të iknin duhet të ekstradohen, duhet të dorëzohen në organet e Republikës së Kosovës. Organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada Veriore’ duhet të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike, partnere, aleate ashtu siç bëri Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj më 29 qershor sivjet. Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Të parezervë e dhanë mbështetjen për institucionet dy partitë opozitare PDK e LDK. Kreu i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka kërkuar që në këto momente sfiduese për Kosovën, liderët politikë të jenë njëzëri. Ai ka thënë në fjalën e tij se pa një hetim emergjent të faktorit ndërkombëtar për përfshirjen e Serbisë në këtë sulm terrorist, shteti serb s’mund të jetë palë e besueshme për asnjë proces.
“Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve që planifikuan e realizuan sulmin mbi shtetin tonë. Në këtë aspekt kërkojmë edhe mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë që të rrisin presionin mbi Serbinë për t’i dorëzuar ata. Sepse ata duhet të marrin dënimin e merituar për krimin që realizuan në Kosovë”, ka thënë ai.
E kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, krahas mbështetjes që ofroi, paralajmëroi Qeverinë që pas këtyre zhvillimeve, do të jetë e pafalshme për të nëse humb në përballjet diplomatike me Serbinë.
“Atë që djemtë e vajzat tona e fituan ditën e 24 shtatorit në Banjskë, duhet ta fitojmë në politike e diplomaci. Tani radhën e ka beteja politike dhe këtu ndërtohen kthesat e mëdha. Ne e kemi një mundësi të tillë. Është përgjegjësi e Qeverisë dhe për këtë do ta ketë mbështetjen tonë pa asnjë kalkulim që këtë situatë ta përkthejë në avancim të pozicionit tonë ndërkombëtar”, është shprehur Abdixhiku.
Mirëpo, për kahun që morën zhvillimet në veri, përveç Serbisë, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, fajtor e la edhe kryeministrin Kurti. Haradinaj u shpreh se në vend të Amerikës, Kurti ka zgjedhur me dëshirë që dialogun me Serbinë ta ndërmjetësojnë Josep Borell e Miroslav Lajçak.
“Mashtrimi nuk kalon, jemi mashtruar qe dy vjet nga mashtruesi. Nuk kalon mashtrimi. Zhvillimet kanë shkuar në drejtimin e gabuar për fajin e këtij njeriu. Ne e dimë kush është Serbia, e dimë kush janë kriminelët, e dimë kush janë terroristët. Ata i kanë vrarë fëmijët e vet në ‘Panda’ në Pejë, me i armiqësu me fqinjët e tyre shqiptarë dhe me e nxjerrë keq UÇK-në para botës. Por mos harroni, do t’i lexojmë drejt veprimet e secilit prej nesh, nuk do t’ia falim askujt”, ka thënë Haradinaj.
Zhvillimet në Banjskë të Zveçanit, ku u sulmua Policia e Kosovës e për pasojë u vra një zyrtar policor, ndryshuan temat e seancës së Kuvendit që në rend dite kishte pasur krejt të tjera çështje diskutimi.