LAJMET E MBRËMJES

Kushtetuesja i jep të drejtë Listës Serbe, e shpall antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetuese zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar të Kuvendit, pas ankesës së Listës Serbe lidhur me seancën e 10 tetorit. Sipas aktgjykimit, u shkel Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, pasi Rashiqi nuk u propozua nga shumica e deputetëve të komunitetit serb. Në aktgjykim thuhet po ashtu se as Lista Serbe si shumicë nga komuniteti serb nuk i përdori mekanizmat debllokues për ta konstituuar Kuvendin

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur kundërkushtetuese procedurën e zgjedhjes së Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit në seancën e 10 tetorit.

Aktgjykimi është përgjigje në kërkesën e Listës Serbe, që ishte ankuar në Kushtetuese pas zgjedhjes së Rashiqit.

Sipas Gjykatës, gjatë procedurës së konfirmimit të Rashiqit si anëtar i kryesisë së Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, u shkel neni 67 i Kushtetutës dhe neni 12 i Rregullores së Kuvendit.
Në njoftimin për vendim, thuhet se Kushtetuta u shkel meqë Rashiqi nuk ishte propozim nga shumica e deputetëve të komunitetit serb.

“Siç është elaboruar në aktgjykim, zbatimi i këtyre mekanizmave në një mënyrë që do t’i mundësonte shumicës së deputetëve të Kuvendit të përcaktojë përfaqësuesin e një komuniteti që nuk është shumicë, pa propozimin e deputetëve të atij komuniteti, në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive formale të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit. Kjo për arsye se, propozimi i kandidatëve për nënkryetarë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë është e drejtë e shumicës së deputetëve të atyre komuniteteve”, thuhet në njoftim.

Kushtetuesja konstatoi se përveç se Rashiqi nuk u propozua nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, po kjo shumicë, në rastin konkret Lista Serbe, luajti rol bllokues në konstituimin e Kuvendit.

“Për pasojë, zgjedhja e deputetit z. Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për ta shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, mekanizmat debllokues, nuk ishin përdorur në pajtim me frymën dhe qëllimin për të cilin ishin paraparë”, thuhet në njoftim.

Nenad Rashiqi u zgjodh pasi u propozua direkt nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, meqë deri atëherë ishin kryer 27 runde votimi për secilin deputet serb nga tri herë përmes shortit.