LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Votimi për Emilja Rexhepin s’mund të anulohet, serbë nuk janë vetëm ata të Listës Serbe

Dy ditë pas vendimit të Kushtetueses është deklaruar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai ka thënë se votimi për nënkryetaren Emilja Rexhepi nuk mund të anulohet dhe se serbë nuk janë vetëm deputetët e Listës Serbe

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është shprehur i bindur se zgjedhja e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë nuk do të kthehet në pikën fillestare me publikimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në deklarimin e tij të parë pas vendimit të Kushtetueses për këtë rast, Kurti ka thënë se deputetët kanë zgjedhur tashmë kryetarin e katër nënkryetarët e Kuvendit.

“Ne kemi ngelur te nënkryetari i fundit nga komuniteti serb. Por mos harroni, nuk janë serbë vetëm ata të Listës Serbe, serb është edhe Nenad Rashiq. Në njërën anë përfaqësuesi i Listës Serbe i mori veç 10 vota, e Nenad Rashiq 56. Veç pesë vota t’ia jepshin këta 52 që janë të opozitës, sot nuk ishim duke i bërë këto pyetje dhe këto përgjigje”, ka thënë Kurti.

Në fund të muajit gusht votimi për zgjedhjen e nënkryetarëve është ndarë e kësisoj nga radhët e komuniteteve pakicë joserbe është zgjedhur Emilja Rexhepi.

Por në mungesë votash, pas disa përpjekjesh ka dështuar zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb. Megjithëkëtë kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, shpalli të konstituuar Kuvendin, por kështu nuk ka konstatuar edhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e publikuar të martën.

E kryeministri në detyrë vlerësoi se puna e Kuvendit nuk është dashur të ndërpritej.

“Ne duhet ta shohim atë në mënyrë të plotë për të dhënë vlerësimin tonë por ajo çfarë mund të them tani është se konsideroj që është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Republikës së Kosovës. Është dashur që të vazhdojë puna e Kuvendit sepse shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur”, ka deklaruar ai.

Gjykata në vendimin e saj ka dhënë edhe dy urdhra. Njëri është që seanca konstituive të përfundojë brenda 12 ditëve nga publikimi i aktgjykimit. Dhe tjetri që deputetët gjatë zgjedhjes së nënkryetarit serb “të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”.

Sipas njoftimit nga Kushtetuesja, derisa aktgjykimi të shpallet në “Gazetën Zyrtare”, do të mbetet në fuqi masa e përkohshme me të cilën deputetëve iu ndalohet të ndërmarrin çfarëdo veprimi, përfshirë këtu edhe ato në drejtim të formimit të Qeverisë së re.