Partitë parlamentare opozitare kanë shprehur qëndrime të ndryshme sa i përket gatishmërisë së shprehur nga kryeministri Albin Kurti për zgjedhje të reja. Disa nga to janë shprehur se janë të gatshme të japin votat e tyre për shpërndarje të Kuvendit, disa për mocion e disa e kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit. Pas një mocioni të suksesshëm për rrëzimin e Qeverisë dhe dekretimin e rezultatit nga presidentja, sipas procedurave, zgjedhjet e jashtëzakonshme më së largu do të mbaheshin në qershor të këtij viti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të enjten se partia që drejton është e gatshme t’ia japë opozitës votat e nevojshme për të shkuar në zgjedhje të reja. E një ditë më vonë Kurti nuk qe i prerë lidhur me qëllimin e ofrimit të votave të Vetëvendosjes për ta shpërndarë Kuvendin e për ta ndërprerë mandatin e Qeverisë, që në konferencën që mbajti për punën trevjeçare të saj u shpreh krenar me të arriturat.
“Kam shprehur gatishmërinë time që nëse opozita dëshiron zgjedhje të jashtëzakonshme mund ta bëjmë me dy të tretat shpërndarjen e Kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje. Nëse opozita është rehat, ne jemi edhe më rehat”, u shpreh kryeministri.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, qysh të enjten në mbrëmje pas ofertës së kryeministrit i vuri në dispozicion të shpërndarjes së Kuvendit edhe votat e partisë së tij.
“Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam bërë thirrje e të kam pritë që me shpërnda Kuvendin. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati. Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë - nëse ke guxim e të ka mbetur pak ndërgjegje për situatën e vështirë që e ke sjellë vendin!”, ka thënë Krasniqi.
E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas deklarimit të Kurtit u shpreh se nuk iniciojnë mocion mosbesimi, ndonëse janë të gatshëm për zgjedhje. Abdixhiku u shpreh se nëse Kurti është dorëzuar duhet të japë dorëheqje e jo të rrëzohet nga opozita që më pas të viktimizohet.
Njësoj edhe në AAK po kërkohet dorëheqja e Kurtit. Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka propozuar një debat parlamentar për tre vjetët e Qeverisë e bashkë me të edhe një rezolutë përmes së cilës do të kërkohet mocioni për shkarkimin e Qeverisë.
“Të gjithë parametrat e deritashëm, sot në trevjetorin e kësaj qeverie, kanë dëshmuar se janë plotësuar të gjitha kushtet që qeveria të përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, duke e votuar Kuvendi i Kosovës mocionin për shkarkimin e kësaj qeverie dhe Kuvendi të vetëshpërbëhet dhe vendi të shkoj në zgjedhje”, ka thënë Tahiri
Por kryeministri tha se dorëheqje nuk jep, ndonëse ua dha disa propozime që zgjedhjet të mos lihen për dimër.
“Nëse dëshirojnë që zgjedhjet t’i mbajmë jo në dimër, normalisht që jemi njerëz të arsyeshëm, të kuptueshëm dhe mund të caktojmë data bashkë me opozitën. Por dorëheqje nuk mund të jap”, ka thënë ai.
Arbër Thaçi nga KDI-ja tregon procedurat deri në zgjedhjet e reja në rast se opozita ngre mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. Sipas këtyre procedurave nëse mocioni mbahet brenda marsit, zgjedhjet mund të shpallen më së largu deri në qershor.
“Në rast të një mocioni të suksesshëm të votëbesimit për Qeverinë, presidentja e vendit në bashkëpunim me partitë politike duke vlerësuar disponimin e të gjithë akterëve politikë brenda Parlamentit të Kosovës e dekreton rezultatin e mocionit të votëbesimit dhe e dërgon vendin në zgjedhje, të cilat në bazë të Kushtetutës së Kosovës duhet të mbahen më së largu 45 ditë pas dekretimit nga ana e presidentes së Kosovës”, deklaroi. Thaçi.
Qeveria Kurti-1 ishte rrëzuar me mocion mosbesimi, i ngritur nga partneri i atëhershëm i koalicionit, LDK.
Tre vjet nga marrja e mandatit, Kurti tha se nuk e pati prioritet dialogun
Në një konferencë të ftuar për të folur lidhur me tre vjetët e qeverisjes së tij, kryeministri Albin Kurti u shpreh se është krenar dhe ballëhapur me arritjet. Sipas tij, punësimi aktualisht është më i lartë sesa që ka qenë ndonjëherë dhe se kanë zbutur hendekun midis eksportit dhe importit. Ka përmendur veriun e Kosovës duke thënë se kanë ulur ilegalitetin e kanë shtrirë ligjshmërinë.
“Ka më shumë sundim të ligjit. Korrupsioni po luftohet. Eliminimi i tij varet nga prokuroria dhe gjyqësori. Në indeksin e “Transparency International” jemi përmirësuar për gjithsej 21 vende në 3 vjet. Paraja publike shpenzohet me përgjegjësi dhe ruhet e mbrohet gjithashtu”, u shpreh ai.
Në këtë konferencë ai tha se dialogu nuk ka qenë prioriteti kryesor deri më tash. Ndaj kritikave se dialogun e kishte prioritizuar para të gjitha çështjeve, ai tha se është dukur asisoj për shkak të vëmendjes mediale e ndërkombëtare.
“Dialogu më shumë ju ka marrë kohë juve se neve. Neve na ka marrë kohë qeverisja e mirë. Çka merr vëmendje mediale e ndërkombëtare nuk është përgjegjësi e jona. Kemi thënë dialogu është prioritet i katërt. Pandemia, punësimi e drejtësia kanë qenë tri prioritetet e para. Nuk është që dialogu na ka marrë kohë sa mendoni ju. Do të ishte mirë që të na merrte më pak kohë. Normalizimi i marrëdhënieve s’është veç në dorën tonë. Unë e kam pranuar marrëveshjen për normalizim bashkë me aneksin e saj, që është arritje e madhe e politikës së jashtme të Kosovës. Por ajo marrëveshje po shkelet vazhdimisht nga zyrtarët serbë”, ka thënë ai.
Kurti foli shkurt edhe për njoftimin që bëri të enjten, ku tha se janë vërejtur njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë disa metra larg kufirit me Kosovën, specifikisht në afërsi të fshatit Banjë të Zubin-Potokut.
“Gjithçka është nën vëzhgim. Deri tash, në orën 16:00, nuk ka asnjë dëshmi që janë afruar sërish. Ata i kanë disa ushtrimet ushtarake, por ushtrimet s’mbahen 10 metra afër kufirit. Nëse duam normalizim, ushtria rri në kazerma, nuk vjen në kufi. Duket që dita e sotme do të jetë ndryshe nga e djeshmja”, ka thënë ai.
Ai tha se do t’iu shërbejnë qytetarëve pa dallim, por që nuk do të ketë tolerime ndaj atyre që shkelin ligjin, bien ndesh me Kushtetutën apo synojnë përfitim nga krimi.