Në shënim të 34-vjetorit të grevës së minatorëve të “Trepçës”, kryeministri Albin Kurti ka premtuar që këtë gjigant, siç e ka quajtur ai të fjetur, do ta kthejnë në një pasuri minerare. Nga ekzekutivi është premtuar investim në modernizim të teknologjisë. Nga Sindikata u kërkua plotësimi i kërkesave të tyre, siç janë kontrata kolektive dhe mosha e pensionimit.
Kryeministri Albin Kurti ka premtuar që gjigantin e dikurshëm ekonomik “Trepça” do ta kthejnë në një pasuri minerare.
Në manifestimin tradicional “Java e Minatorëve” që kujton grevën historike të minatorëve të mbajtur 34 vjet më parë, Kurti tha se minatorët janë në qendër të kësaj historie, të tashmes dhe të ardhmes së përbashkët.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Sfida e të gjithëve për ‘Trepçën’ dhe posaçërisht e Qeverisë, është që nga një gjigant i cili konsiderohet i fjetur, ‘Trepça’ të kthehet në një burim pasurish minerare që nga nëntoka ngrit nivelet e të gjitha stadeve të punës të kësaj ndërmarrjeje përtej çdo kujtese a historie për këtë parajsë nëntokësore”, ka theksuar Kurti.
Investime në modernizim të teknologjisë ka premtuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Ne gëzohemi dhe jemi krenarë me arritjet e ‘Trepçës’ gjatë këtyre dy vjetëve të fundit dhe zotohemi se do të vazhdojmë të përkrahim ‘Trepçën’ në mënyrë që teknologjia e saj të modernizohet, performanca e saj të rritet, dhe po ashtu mirëqenia e Mitrovicës dhe e mbarë Kosovës të rritet”, ka deklaruar Rizvanolli.
Rreth 1300 minatorë në vitin 1989 kishin qëndruar për tetë ditë në horizontin e tetë dhe të nëntë në zgafellen e xeherores së Stantërgut, rreth 1 mijë metra nën tokë, në mbrojtje të Kosovës nga politikat shtypëse të Serbisë.
“Në kontekstin historik greva e minatorëve të ‘Trepçës’ mund të cilësohet si rezistencë e dyfishtë, fillimisht si rezistencë aktive paqësore për të mbrojtur ekzistencën e popullit shqiptar në periudhën e okupimit klasik nga Serbia, dhe së dyti si rezistencë e suprimimit arbitrar të autonomisë së Kosovës”, është shprehur kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës” Enis Abdurrahmani.
E nga Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë, Gëzim Kalaja ka thënë se minatorët duhet të angazhohen për tri çështje.
“Do të deklaroj tri gjëra që ju duhet t’i keni: duhet të luftoni për lidhjen e kontratës kolektive që është Kushtetutë për ju, për ngritjen e pagave e sigurimin teknik dhe për moshën e pensionit dhe ngritjen e pagesës së pensionit”, ka theksuar Kalaja.
Për të shënuar përvjetorin e grevës së minatorëve, Sindikata e Punëtorëve të “Trepçës” ka organizuar aktivitete të ndryshme që do të mbahen deri më 28 shkurt.