Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Me Byronë Shtetërore s’do të ketë më “rrogë e vogël e fitim i madh”

Mbledhja e Qeverise

Foto: Driton Paçarada

Në mbledhjen e 11-të të ekzekutivit, në të cilën u miratuan disa projektligje, vendime, rregullore e koncept-dokumente, kryeministri Albin Kurti foli për Projektligjin për Byronë Shtetërore, që ka kaluar në lexim të parë. Sipas Kurtit, pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme, kurrë nuk është fituar

Kryeministri Albin Kurti është shprehur i bindur se pas miratimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore nuk do të ketë më “rrogë të vogël e fitim të madh”. 

Në mbledhjen e 11-të të Qeverisë, të hënën, ai tha se për jetësimin e këtij projektligji është e domosdoshme që ai të kalojë edhe në lexim të dytë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Byroja do të bëhet, sepse me të përfundimisht merr fund ajo parulla që kurrë nuk do të duhej të na përsëritej në të ardhmen, ‘Rroga e vogël, fitimi i madh’. E kemi thënë edhe më herët: Pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme, kurrë nuk është as private e as legjitime, sepse ajo kurrë nuk është fituar”, ka theksuar Kurti. 

Po ashtu Kurti e cilësoi lajm të mirë arrestimin e Stefan Raduloviqit, i dyshuar për sulmin në Banjskë, por, sipas tij, drejtësia do të vihet plotësisht në vend vetëm kur i tërë grupi i Milan Radoiçiqit të dalë para drejtësisë.

Mes 24 pikave në rend të ditës u miratuan edhe projektligjet për ratifikimin e tri protokolleve shtesë të CEFTA-s dhe një me EFTA-n. 

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, e çmoi lart marrëveshjen me EFTA-n, organizatë që e përbëjnë Zvicra, Norvegjia, Lihtenshtajni dhe Islanda. 

“Vlen të përmendet se sa i përket volumit tregtar me këto vende, eksportet janë vazhdimisht në rritje – nga 77.5 milionë euro në vitin 2023, në 87.5 milionë euro në vitin 2024, ndërsa vitin që lamë pas, eksporti në vendet anëtare të EFTA-s ka arritur në 100.4 milionë euro, me një rritje prej 14.7% krahasuar me vitin paraprak”, ka bërë të ditur Kusari-Lila. 

Në mbledlhje u miratua edhe Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. 
Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, theksoi se me këtë synohet rritja e kapaciteteve inspektuese.

“Me këtë hap fuqizojmë inspektoratin duke e ngritur në nivel të agjencisë shtetërore dhe synojmë rritjen e kapaciteteve inspektuese dhe avancimin e kushteve në tërë territorin e Kosovës”, ka deklaruar Bogujevci. 

Qeveria ka miratuar mes tjerash edhe propozim-vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, vendimin për themelimin e trupave institucionale për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe vendimin për shpalljen e Organizatës së Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), si organizatë terroriste në territorin e Republikës së Kosovës.