Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kurti-Macronit: Serbia të nënshkruajë Marrëveshjen e Ohrit dhe të tërheqë letrën e Bërnabiqit

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialog me Serbinë, sipas kryeministrit Albin Kurti, mbetet i bllokuar për shkak të mos-nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit nga Serbia dhe të letrës së Ana Brnabiq dërguar vendeve anëtare të BE-së. Këto kërkesa ai ka thënë se i ka paraqitur gjatë takimit në Paris me presidentin francez Emmanuel Macron, të premten

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se në takimin me presidentin francez Emmanuel Macron ka kërkuar që Serbia të nënshkruajë Marrëveshjen e Ohrit dhe të tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Brnabiq, dërguar vendeve anëtare të BE-së në dhjetor 2023.

Të hënën, në një konferencë për media, Kurti ka thënë se presidenti Macron është mbështetës i madh i integrimit të Kosovës në BE, tek ka theksuar se në takimin e së premtes në Paris kanë diskutuar edhe për mbrojtjen, sigurinë dhe Lojërat Mesdhetare që më 2030 do të mbahen në Prishtinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Për dialogun në Bruksel ne kemi diskutuar në veçanti në kuptim të zbatimit të marrëveshjeve të cilët kërkojnë mirëbesim, kërkojnë siguri juridike e që vjen nga nënshkrimi i Marrëveshjes, e që vjen nga tërheqja e letrës së zonjës Bërnabiq që asokohe ishte kryeministre, tash është kryetare e Kuvendit në Serbi dhe e cila me datën 13 dhjetor 2023, merreni me mend 27-shes së Bashkimit Evropian i tha se Serbia nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Në dhjetor 2023, Ana Brnabiq, atëkohë kryeministre e Serbisë, u pati dërguar një letër vendeve anëtare të BE-së, ku pati shprehur rezerva për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të dakorduar në Ohër.

Kurti ka thënë se mos-tërheqja e kësaj letre pengon përparimin në dialog.

“Si mund të bëjmë ne dialog, si mund të kemi zbatim të marrëveshjeve, si mund të kemi mirëbesim nëse dikush të thotë publikisht dhe e lë zyrtarisht me letër të shkruar që nuk ta respekton integritetin territorial”, ka deklaruar ai.

Sipas Kurtit, në takim me Macronin ka theksuar edhe nevojën që Milan Radojçiq t’u dorëzohet institucioneve të drejtësisë në Kosovë për t’u përballur me përgjegjësi për sulmin në Banjskë më 2023.

Sa i përket integrimit të sistemit ilegal shëndetësor dhe arsimor të Serbisë në Kosovë, Kurti ka thënë se pritshmërinë e tij janë që më i lehtë të jetë integrimi i sistemit të shëndetësisë.

Këtë, ka thënë se e bazon në faktin se mjekët shqiptarë nuk refuzojnë trajtimin e pacientëve serbë, ndërsa edhe personeli mjekësor serb u ofron shërbime pacientëve shqiptarë.

“Ne nuk jemi të interesuar që pacientët serbë të ngelin pa spitale ose që nxënësit serbë të ngelin pa shkolla. Përkundrazi, jemi të interesuar që ata të vazhdojnë por duhet të legalizohen. Nuk mund të vazhdojnë në mënyrë ilegale. Është e domosdoshme që të kemi sundim të ligjit edhe në atë aspekt. Unë jam më optimist, sa i përket shpejtësisë, për sistemin shëndetësor se sa atë arsimor”, është shprehur Kurti.

Kurti ka deklaruar gjithashtu se Spitali në Mitrovicën Veriore ka nevojë për investime, por, sipas tij, ato mund të kryhen vetëm pasi të ndodhë integrimi.