Kosova e sheh pozitivisht planin franko-gjerman. Për këtë për herë të parë ka folur kryeministri Albin Kurti
Ai paralajmërimet për tensione në veri dhe trazira nga serbët ka hënë se janë maskime nga Beogradi për refuzimin që i ka bërë draftit franko-gjerman.
“Nuk bëhet fjalë as për tabela, as për Asociacion, as për Gjuriqin, bëhet fjalë vetëm për kundërshtimin që ia kanë bërë Evropës dhe BE-së. Këtë koordinim që e kanë me Kremlinin dhe Putinin, këtë po e përdorin te ata që ende i dëgjojnë, si pjesëtarë të strukturave kriminale. Çka po ndodh tani shpjegohet më së shumti me përpjekjen e Beogradit për ta ambalazhuar kundërshtimin e nismës franko-gjermane apo të propozimit të këtyre dy fuqive. Serbia është e interesuar ta sabotojë dialogun dhe çfarëdo marrëveshje. Rruga që ka zgjedhur është kërcënimi i qytetarëve”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Shefi i ekzekutivit ka folur se si ka ardhur deri tek ky propozim. Ndërsa ka thënë se deri më 18 gusht të këtij viti nuk ka pasur dialog për marrëveshje.
“Me 18 gusht pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pika e dytë çështjet aktuale. Dhe më 9 shtator, ende pa u bërë një muaj pas këtij takimi patën ardhur në zyrën time këtu e më pastaj shkuan edhe në Beograd, këshilltarët e lartë të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron, bashkë me ndërmjetësin e njohur tashmë Lajçak. Pra, ata kanë sjellë përmbledhje të ideve të modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar por kam thënë se janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtjet e mija, ua kam thënë edhe atyre vërejtjet e mija dhe kritikat e mija, mirëpo unë nuk e kam kundërshtuar atë propozim”, tha Kurti.
Deklarata e Kurtit u bë dy ditë pas largimit të përfaqësuesve serb nga institucionet e nivelit lokal, nga gjyqësor, policia si dhe nga Qeveria dhe Kuvendit, shkaku i pa kënaqësive lidhur me vendimin për targat.
Por, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti, po e ndihmon skenarin e Serbisë për dështimin e planit franko-gjerman, për marrëveshjen finale.
“Në nëntor, Qeveria ka vendosur ta zbatojë vendimin për targat në veri. Aleati ynë më besnik, SHBA-ja, duke e ditur skenarin e Serbisë që ka për qëllim dështimin e dialogut, i ka kërkuar Kurtit ta pezullojë këtë vendim deri në marrëveshje, që ta mbajë presionin në Beograd e në Serbi”, tha Haradinaj.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti, duke i kërkuar që të ketë harmonizim të veprimeve institucionale, për situatën e krijuar në veri.
“Këto veprime cenojnë sovranitetin juridik të shtetit tonë si dhe mbarëvajtjen e rendit publik. Për më shumë, këto zhvillime rrezikojnë t'i kthejnë në pikën zero të gjitha të arriturat e shtetit të Kosovës, në shtrirjen e sovranitetit dhe integrimin institucional të komunitetit serb në komunat e pjesës veriore të vendit”, thuhet në letrën e PDK-së.
Ndërsa LDK-ja ka kërkuar nga institucionet koordinim të ngushtë me ShBA-të dhe aleatët tjerë evropianë.
Për planin franko-gjerman deri tash nuk është dhënë detaje nga asnjëra palë.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz në fillim të këtij muaji kishte konfirmuar se ekziston një plan i tillë, që sipas tij, zgjidh mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.