Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i ka kërcënuar protestuesit. Në një postim në Facebook ai ka shkruar se “djegia e vendit” nuk do të zgjasë shumë.
Vuçiq ka thënë se përgjigja e shtetit do të jetë krejt ndryshe nga ajo që është parë deri tani.
Sipas tij, do të përdorin gjithçka kanë në dispozicion për të vendosur ligj dhe rend.
“Ne duhet të mbrojmë vlerat e jetës normale dhe të denjë. Përgjigja e shtetit do të jetë e ndryshme nga ajo që keni parë deri më tani. U premtoj qytetarëve të Serbisë se djegia nuk do të zgjasë shumë. Ne do të përdorim gjithçka që kemi në dispozicion për të rivendosur ligjin, paqen dhe rendin. Për sa kohë që marr frymë dhe ndërsa gjaku rrjedh në venat e mia, do t'i sfidoj ata dhe do të luftoj për Serbinë! Do të luftoj për popullin, qytetarët e Serbisë dhe ne do të fitojmë”, ka shkruar ai.
Protestat u shkaktuan fillimisht nga shembja e një stacioni hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit të kaluar që vrau 16 persona.
Ndërsa demonstratat kundër korrupsionit kanë tërhequr qindra mijëra protestues, ato kishin qenë kryesisht paqësore deri në përplasjen e së mërkurës, kur besnikët pro-qeveritarë organizuan kundërdemonstrata.
Të shtunën në mbrëmje, policia u vendos përsëri në një numër qytetesh, përfshirë Beogradin, ndërsa njerëzit morën pjesë në demonstrata për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.
Zyrat dhe flamujt që përfaqësonin partinë SNS të Vuqiçit kanë qenë në qendër të zemërimit të protestuesve.
Protestuesit gjithashtu thyen dritaret e selisë së Partisë Radikale Serbe, një partnere e koalicionit të SNS-së.
