LAJMET E MBRËMJES

Kurti i fajëson bandat kriminale për sulmet në veri, Lista Serbe akuzon Qeverinë për provokime

Sulmi ndaj njësitit policor në liqenin e Ujmanit është dënuar të shtunën nga kryeministri Albin Kurti. Ai ka theksuar se sulmi i dytë brenda një jave ndaj forcave të rendit është akt i bandave kriminale në veri të vendit.

Nëpërmjet një postim në Twitter, Kurti ka bërë të ditur se bandat kriminale janë duke u barrikaduar ndaj luftës kundër krimit të organizuar.

“Fatmirësisht shpëtuam pa viktima dhe tani po zhvillohet një hetim i plotë. Sot, rrugët janë pa barrikada. Por bandat kriminale vazhdojnë ta barrikadojnë veten kundër agjencive tona të zbatimit të ligjit dhe luftës sonë kundër krimit të organizuar”, ka shkruar Kurti.

Sulmi është dënuar edhe nga Lista Serbe. Por për dallim nga kryeministri Kurti, ky subjekt politik, që është pjesë e institucioneve të Kosovës, ka akuzuar ekzekutivin se po dërgon njësite speciale për të krijuar kaos.

“Lista Serbe u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve të Xhelal Sveçlës dhe Qeverisë nga Prishtina, që synojnë t’i paraqesin njerëzit tanë në veri si të këqij dhe që të krijojnë alibi për veten dhe veprimet e tyre të dhunshme ndaj popullit serb”, ka thënë Lista Serbe.

Policia e Kosovës është sulmuar te liqeni i Ujmanit, me dhjetëra të shtëna që nuk kanë rezultuar me ndonjë të lënduar.