Kryeministri Albin Kurti i ka akuzuar aleatët e Rusisë se po synojnë të ndikojnë në dialogun me Serbinë. Ai ka thënë se nëpërmjet dezinformimit e metodave të tjera kibernetike po synohet të dëmtohen përpjekjet e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Këto deklarata Kurti i dha në Samitin e Partneritetit për Qeverisje të Hapur, që po mbahet në Talin të Estonisë
Përpjekjet e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se po mundohen t’i minojnë aleatët e Rusisë nëpërmjet dezinformimit.
Kurti gjatë fjalimit në Samitin e Partneritetit për Qeverisje të Hapur, organizatë së cilës vendi iu bashkua në gusht të këtij viti, tha se në Kosovë janë evidente përpjekjet e bashkëpunëtorëve të Rusisë për shtrembërim të së vërtetës.
“Në kohë të ndjeshme, kur vendi ynë angazhohet për procesin e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha pakicave në proceset demokratike të vendit pa ndërhyrje të huaja, këto kërcënimet kibernetike si dezinformimi, ngacmimi kibernetik dhe forma të tjera janë veçanërisht të dëmshme”, theksoi Kurti.
Para të pranishmëve, Kurti u mburr me qeverisjen e tij, e cila tha se u vlerësua edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
“Transparenca më e madhe dhe lufta kundër korrupsionit kanë qenë gurët e themelit të qeverisë sonë. Ne i kemi vënë theks të madh luftimit të krimit brenda institucioneve publike. Ndikimi i prekshëm i përpjekjeve tona është pranuar nga institucione të njohura ndërkombëtare. Për shembull, renditja e Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International është përmirësuar me 20 vende në dy vjetët e fundit”, tha Kurti.
Gjatë qëndrimit të tij në Estoni, Kurti është takuar edhe me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, me të cilën tha se ka diskutuar për situatën politike në vend e rajon.