Në Prekaz të Epërm janë rivarrosur eshtrat e Sinan Dautit. Ai ishte 8 vjeç në luftë kur u plagos rëndë nga serbët, të cilët dërguan në Spitalin e Mitrovicës nën arsyetimin për ta mjekuar, por më nuk ia kthyen familjes. Eshtrat e tij u gjetën këtë javë në Suhadoll të Mitrovicës
Sinan Dauti ishte veç tetë vjeç kur me plagë në trup që ia shkaktuan forcat serbe, u dërgua për shërim në Spitalin e Mitrovicës. Ai nuk iu kthye më familjes.
Për 27 vjet emri i figuroi mes të zhdukurve, e këtë të shtunë u rivarros në Prekaz të Epërm, pasi eshtrat iu gjetën në Suhadoll të Mitrovicë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjatë ceremonisë së varrimit, drejtori i shkollës ku Sinani mësoi për një vit e gjysmë, tregoi momentin kritik.
“Pas ndaljes së granatimeve paramilitarët serb mësyjnë në këmbësori lagjen Bregaj. Hyn në oborre e shtëpi dhe arrin te podrumi ku ishin strehuar gra dhe fëmijë. Edhe pse e panë që aty kishte vetëm gra dhe fëmijë paramilitarët serbë filluan që gjuanin nga dera dhe dritaret mbi civilët. Si pasojë e të shtënave plagosën nxënësit tanë Sinan Dauti dhe Kumri Dauti”, ka deklaruar drejtori i shkollës.
Në rivarrimin e tij morën pjesë familjarë, qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, bëri thirrje për përgjegjësi dhe drejtësi.
“Kjo ngjarje na kujton çmimin e madh të lirisë që populli ynë ka paguar. Kjo ngjarje na obligon të mos harrojmë kurrë historinë tonë. Kujtimi i Sinanit mbetet një thirrje e përhershme për përgjegjësi por edhe për drejtësi. Një thirrje që asnjë familje tjetër të mos kalojë një dhimbje të tillë”, është shprehur Haxhiu.
E ministri për vlerat e luftës, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e UÇK-së, Andin Hoti, tha se Serbia duhet të japë përgjegjësi për krimet e këtilla.
“Gjetja e mbetjeve mortore i jep familjes mundësinë që të kryejë ceremoninë e varrimit dhe të ketë një vend ku të kujtojë të afërmin e tyre, por dhimbja e tyre nuk mbyllet kurrë. Sepse kjo nuk është vetëm historia e një familjeje, kjo është historia e një populli që u përball me gjenocid, me një plan të qartë nga shteti serb. Dhe për këtë plan Serbia ka përgjegjësi. Dhe për këtë krim Serbia ka borxh”, ka thënë Hoti.
Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, theksoi se Sinani u kthye si dëshmi që e vërteta nuk varroset kurrë.
“E dashur familje Dauti, të nderuar të gjithë ju të pranishëm, sot ne e kthejmë Sinanin në tokën e tij për të pushuar me dinjitet, por ai nuk kthehet në heshtje. Ai kthehet me zë, si kujtesë, si dëshmi e së vërtetës që nuk do të mbyllet më”, ka deklaruar Nura.
Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, tha se gjetja e eshtrave në Suhodoll të Mitrovicës erdhi si rezultat i një pune intensive dhe përkushtimit maksimal në zbardhjen e rasteve.
“Ne si Komision Qeveritar për Persona të Zhdukur, së bashku me të gjithë partnerët tanë, mbetemi të zotuar se kërkimet do të vazhdojnë me të njëjtin intensitet. Është obligimi ynë njerëzor, moral dhe kombëtar që çdo familjeje t’i ofrojmë mundësinë për të pasur një vend ku mund t’i nderojnë më të dashurit e tyre. Dhimbja e familjes Dauti është dhimbje e të gjithë Kosovës, por sot, me gjetjen e Sinanit, mbyllet një kapitull i rëndë i pritjes 27-vjeçare. Kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i gjallë, si një thirrje për drejtësi dhe për të vërtetën që nuk mund të fshihet. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës Sinan Dautit”, ka theksuar Gara.
Në emër të familjes Dauti, Anton Dauti shprehu mirënjohjen për të gjithë që kanë kontribuar në gjetjen e trupit të Sinanit, të zhdukur tash e 27 vjet.
“Në emër të familjes dhe në emrin tim personal, ju falënderoj të gjithëve së pari për punën që është bërë deri në arritjen e rezultatit që ne ta kemi trupin e Sinanit këtu prezent sot. Po ashtu, ju falënderoj të gjithëve që në këto ditë të vështira keni qëndruar pranë dhe keni ndarë dhimbjen bashkë me ne. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit, të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, është shprehur Dauti.
Sivjet janë organizuar rivarrime për 10 persona të zhdukur, pas identifikimit që u është bërë mbetjeve mortore që janë gjetur në lokacione të ndryshme.