LAJMET E MBRËMJES

Kryeqyteti “përmbytet” nga mbeturinat, “Pastrimi” dhe pushteti fajësojnë njëra-tjetrën

Kompania rajonale e mbeturinave “Pastrimi” ka njoftuar se është e detyruar ta ndërpresë shërbimin e grumbullimit të mbeturinave në Prishtinë për shkak të, siç thonë ata, mospagesës së borxhit prej 2.7 milionë eurosh nga Komuna. Në Komunë mohuan të kenë borxh dhe paralajmëruan se do të ndërmarrin masa nëse kjo situatë nuk përmirësohet

Kontejnerët e stërmbushur me mbeturina janë parë në të gjitha lagjet e Prishtinës gjatë ditës së mërkurë. Ndërmarrja “Pastrimi” ka njoftuar se ka ndërprerë shërbimin e grumbullimit, për shkak të, siç thonë ata, mospagesës së borxhit nga Komuna dhe pamundësisë së furnizimit të kamionëve me derivate.

Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë, Petrit Reçica, ka theksuar se Komuna u detyrohet  2.7 milionë euro.

“Ne dje kemi operuar vetëm me 8 kamionë e pardje kemi operuar me 20. Kemi rënë në 8 dhe gjatë mbrëmjes rreth orës 23:00 kanë rënë edhe ata... Sot në mëngjes kemi arritur të sigurojmë naftë vetëm për kamionët që ofrojmë shërbim për spitalet dhe dy-tri institucionet e tjera”, thotë Reçica.
Reçica thotë se përpos problemit me derivate, po përballen me vështirësi edhe në ekzekutimin e pagave për punëtorë.

Në Komunën e Prishtinës mohuan t’i kenë ndonjë borxh kompanisë “Pastrimi”. 

Drejtori për Shërbime Publike, Bekim Brestovci, ka thënë se qysh në dhjetor të vitit të kaluar e kanë ditur se kjo ndërmarrje do të ballafaqohet me vështirësi financiare.

“Deri në fund të vitit 2024 ka pasur një kontratë me Komunën dhe ka pasur një pagesë të sigurt mujore prej 420 mijë eurosh e këtë tani nuk e ka më. Kështu kjo ka dërguar deri tek një kolaps financiar, siç duket, tek ndërmarrja ‘Pastrimi’”, deklaroi Brestovci.

Ai paralajmëroi se në rast se “Pastrimi” nuk do të ndërmarrë masa për të dalë nga kjo situatë, Komuna do të veprojë.

“Ne nuk do t’i lëmë qytetarët në fatin e askujt dhe ne nëse marrim ndonjë konfirmim që ata nuk do të jenë në gjendje që nga dita e nesërme, pra nuk do të mund të vazhdojnë me operimin për të cilin janë të obliguar, konform mundësive ligjore që i kemi do marrim të gjithë hapat e nevojshëm që kryeqytetin ta kthejmë në gjendje të pastër”, shtoi tutje Brestovci.

Në dhjetor të 2024-s, me inicimin e PDK-së dhe me ndihmën e LVV-së, Asambleja Komunale në Prishtinë ka votuar për plotësim-ndryshimin e Rregullores së re për mbeturina. Në të thuhet se arkëtimi i faturave për qytetarët e Prishtinës bëhet nga kompania “Pastrimi” dhe jo nga Komuna e Prishtinës. 

Këtë rregullore e pati aprovuar edhe Ministria e Mjedisit, e cila ka konsideruar se ajo është në harmoni me Ligjin për mbeturinat. Por këtë ndryshim drejtues të pushtetit të Prishtinës e patën dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Në një përgjigje për KOHËN, në Kushtetuese thanë se kërkesa është parashtruar në shkurt të këtij viti, mirëpo ajo vazhdon të mbetet në shqyrtim.

E në kompaninë “Pastrimi” paralajmëruan se do të ndjekin rrugët ligjore në rast se Komuna e Prishtinës tenton të fusë ndonjë operator privat për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.