LAJMET E MBRËMJES

Kryeministri përplaset me opozitën për mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare

Kryeministri Albin Kurti ka kritikuar opozitën për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Nga opozita iu kundërpërgjigjen se edhe ai ka vepruar njëjtë gjatë kohës sa ishte në opozitë. Në seancën plenare të Kuvendit, edhe shumica parlamentare abstenoi në Rezolutën e PDK-së për të adresuar kërkesat e Policisë

Marrëveshjet ndërkombëtare nuk duhet të jenë arena ku opozita e pushteti i thyejnë shpatat, ka thënë kryeministri Albin Kurti, duke iu referuar qëndrimit të partive opozitare PDK e AAK për të mos mbështetur ratifikimin e tyre.

Në seancën e së enjtes, kryeministri tha se opozita nuk mund të deklarohet se brengoset për ekonominë e mirëqenien e qytetarëve kur bllokon marrëveshjet për projekte në vlerë mbi 360 milionë euro.

“Nuk bëhet kjo punë kështu. Më besoni. Këtë po ua them si dikush që ka bërë opozitë parlamentare për një dekadë. Nga viti 2011 deri në vitin 2020, kur Lëvizja Vetëvendosje! ka qenë opozitë parlamentare në Kuvend janë votuar 377 marrëveshje ndërkombëtare. Nga 377 marrëveshje ndërkombëtare për një dekadë, vetëm tri marrëveshje nuk i ka mbështetur Lëvizja Vetëvendosje! dhe ato dihet se çfarë kanë qenë”, tha Kurti.

Kurti u shpreh se marrëveshjet aktuale nuk janë të dëmshme si ato që subjekti i tij politik dikur i pati kundërshtuar, duke aluduar në Asociacionin, Demarkacionin dhe MSA-në.

“Po, ne si opozitë kemi kundërshtuar me vendosmëri marrëveshjet që kanë qenë të dëmshme. Për disa prej tyre tashmë po ua shohim sherrin, e besoj edhe ju jeni bindur që kanë qenë të dëmshme”, tha Kurti.

“I përmendët marrëveshjet e dëmshme duke i referuar marrëveshjes së vitit 2013 dhe 2015. Mirëpo ju sikur i keni betonuar këto marrëveshje me marrëveshjen e Ohrit”, tha deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Për opozitarizmin e dikurshëm të Kurtit, pati kritika nga opozita e tashme.

“E përmende që ke qenë opozitar por po ta rikujtoj, ti je shembulli më i keq i opozitarit që ka pasur Kosova ndonjëherë. E sa për atë që ti i ke mbështetur marrëveshjet, ti as Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, më të rëndësishëm të Kosovës nuk e ke mbështetur”, tha deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Kryeministër me i thënë LDK-së se si është qëndrueshmëria e shtetit të Kosovës është sikur ai fëmija i papjekur që i thotë prindit të vetë, “Hajde babë ti tregoj mexhat”, tha deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Frymën e abstenimit, në këtë seancë e ndoqi edhe grupi parlamentar i Vetëvendosjes, që abstenoi në mocionin e PDK-së për ta futur në rend dite Rezolutën ku adresohen kërkesat e Policisë.

“Unë po kërkoj të diskutojmë për ato propozime që u thane. Nuk dua të hyjmë në debat që krijon divergjenca e diskurs politik që nuk sjellë rezultat”, tha shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

“Sot Albin Kurti duke iu hakmarrë opozitës nuk po e mbështet një rezolutë për Policinë e Kosovës. Zoti Krasniqi kallëzoi çfarë opozitari ke qenë, unë po them tregoi policisë çfarë kryeministri je”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

Për pengim gjatë fjalimit, deputeti Bekë Berisha e kërcënoi Adnan Rrustemin e Vetëvendosjes.

“Mos me shti me të ardhë aty”, tha Berisha.

Në një seancë paraprake Kuvendi dështoi ta miratojë amendamentimin e Kushtetutës me një konventë të OKB-së për personat me aftësi të kufizuara, për shkak të mungesës së deputetëve nga komunitetet joshumicë, përkatësisht ata të Listës Serbe.