Teksa po zhvillohej tentimi i 37-të për konstituimin e legjislaturës së re, përfaqësues të shoqërisë civile protestuan para Kuvendit kundër bllokadës së krijuar. Gjatë saj, deputetët u kritikuan për mungesë përgjegjësie teksa u paralajmërua që protesta të këtilla do të ketë në çdo vazhdim të seancës konstituive
Bllokadën e krijuar në Kuvend, përfaqësues të shoqërisë civile e kundërshtuan të mërkurën me protestë simbolike në ditën kur u mbajt tentimi i 37-të i deputetëve për konstituim të legjislaturës së re.
Me pankartat me mesazhe: “Unë jam deputet bllokues”, “Kur t’ju bohet boll kallxoni”, “Krizën çojeni në shtëpitë tuaja”, protestuesit qëndruan para dy hyrjeve të objektit të Kuvendit.
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, tha se Kuvendi është shndërruar në cirk të demokracisë teksa shtoi se deputetët që deri më tash kanë marrë dy paga, mezi i kanë bërë dy orë të plota pune.
“Kjo situatë tashmë ka kaluar gjithë kufijtë e normales dhe është bërë boll, siç po thonë edhe disa prej pankartave tona. Të vetmëve që nuk po u bëhet vonë e nuk është bërë boll, duket që janë deputetët e Kuvendit, të cilët me një papërgjegjësi të plotë janë duke trajtuar situatën aktuale si diçka të zakonshme, ndonëse situata nuk është tillë”, ka thënë Cakolli.
E Mexhide Demolli, drejtoreshë në organizatën “FOL”, paralajmëroi se ky aksion protestues i shoqërisë civile do të jetë i vazhdueshëm.
“Si organizata të shoqërisë civile në të kaluarën e kemi pasur edhe një performancë, kemi mbajtur takime edhe me partitë politike dhe kemi shprehur shqetësimet tona për mosfunksionalizimin e Kuvendit të Kosovës dhe ky do të jetë aksioni i vazhdueshëm nga sot e tutje në çdo të dytën ditë, siç do të vijnë edhe deputetët në Kuvend edhe ne do të jemi këtu për të kundërshtuar bllokadën që është krijuar nga partitë politike”, ka thënë Demolli.
Në shoqërinë civile vlerësuan se bllokada në Kuvend nuk mund të gjejë zgjidhje as në Gjykatën Kushtetuese, po qe se mungon vullneti politik i deputetëve.