Ka ngritur dyshime tek anëtarët e KQZ-së aplikimi për ta vëzhguar me 256 pjesëtarë procesin zgjedhor të 12 tetorit i një organizate joqeveritare, të regjistruar në institucionet e Kosovës një javë më parë. Pasi anëtarët e Komisionit shprehën në mbledhjen e së mërkurës shqetësime edhe për të tjera organizata, KQZ-ja ka marrë vendim që në vend të akreditimit të 33 organizatave vëzhguese, për 7 prej tyre të bëhet rishikimi i dokumentacionit të ofruar
Dyshimet e ngritura nga anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) lidhur me veprimtarinë e disa prej organizatave joqeveritare kanë bërë që Sekretariati i këtij komisioni ta ndryshojë të mërkurën rekomandimin fillestar për akreditimin e tyre si vëzhgues në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Njëra prej arsyeve që ka nxitur dyshim tek anëtarët e KQZ-së gjatë mbledhjes të së mërkurës ka qenë aplikimi me 259 vëzhgues i një organizate, e cila është regjistruar një javë më parë.
Sami Kurteshi, i cili është anëtar i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka kërkuar sqarime nga Sekretariati lidhur me organizatën “Fuqia e Zërit”, e për të cilën ka theksuar të mos ketë dëgjuar më herët.
“A ka mundësi vetëm ndonjë sqarim, sepse vërtet unë nuk kam dëgjuar për këtë organizatë joqeveritare e numri i vëzhguesve është jashtëzakonisht i madh për një organizatë të panjohur, sepse është çështja edhe e burimeve njerëzore, e edhe e burimeve materiale”, është shprehur Kurteshi.
Aplikimi i kësaj organizate për t’u akredituar për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale me rreth 260 pjesëtarë është kualifikuar si i çuditshëm nga anëtari i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), Arianit Elshani.
“Nuk mendoj që është e vetmja. Ka edhe organizata të tjera, për të cilat ngre shqetësimin dhe dilemën se sa janë funksionale, sa kanë aktivitete dhe sa mund të jenë vërtet reale, kështu, në kuptim edhe të përfaqësimit, edhe të punës që ata do ta kryejnë në ditën e zgjedhjeve. Po flas për qendrën rinore në Shtime, me 49 vëzhgues”, ka theksuar Elshani.
E ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, ka theksuar se këto organizata i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.
“Njëri prej kritereve që kërkohet prej dokumenteve është që organizatat joqeveritare të jetë të regjistruara sipas ligjeve në fuqi, të jenë të regjistruara në institucionet përkatëse”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë vlerësim të sekretarit Buzhala ka shprehur kritikë anëtari i KQZ-së nga LVV-ja, Alban Krasniqi, teksa ka theksuar se trajtimi i këtyre organizatave është duke u bërë në mënyrë teknike.
“Ekziston rreziku permanent i futjes së ndikimeve të huaja nën petkun e vëzhguesve. Mendoj që nuk është kaq e thjeshtë që të shikohen kriteret teknike kaq ngushtësisht”, është shprehur ai.
E anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike (LDK), Sami Hamiti, ka ngritur shqetësim edhe për një tjetër organizatë që ka aplikuar për akreditim.
“’Udruzenje Gradjana Restart’ është një organizatë joqeveritare vendore. Ajo ka mundur ta marrë një dokument të tillë, por kjo organizatë është e Republika Sërpskas, është një organizatë joqeveritare, e cila më së paku është joqeveritare atje, sepse e luan funksionin e pushtetit atje, edhe përkrah individë, edhe politika të caktuara”, ka thënë ai.
Por ushtruesi i detyrës së sekretarit, Buzhala, ka thënë se dokumentacioni që i kërkohet secilës organizatë është i përcaktuar me rregulloren zgjedhore teksa ka shtuar se me gjithë dyshimet e ngritura nuk mund të bëhet më shumë.
“Mundet të ketë dyshimet për organizata, por zyra nuk e ka obligim... e trajton vetëm dokumentacionin që ata e sjellin. Kjo është çfarë mund t’ju them”, ka thënë ai.
Pas disa minutave pauzë gjatë mbledhjes, anëtarë të KQZ-së janë dakorduar që të akreditojnë vetëm një pjesë të organizatave. Për 7 prej atyre, për të cilat kanë shprehur dyshime, ata kanë kërkuar që të ofrohen sqarime shtesë. E nga 33 organizata ndërkombëtare, organizata joqeveritare dhe përfaqësi diplomatike me gjithsej 1.032 vëzhgues sa janë propozuar që të akreditohen fillimisht, KQZ-ja ua ka aprovuar kërkesat 26 syresh, me 521 vëzhgues. Lidhur me dyshimet e ngritura të mërkurën në mbledhjen e KQZ-së, KOHA ka dërguar pyetje në adresën e tri organizatave joqeveritare të përmendura, porse gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.