Tri njësit të termocentraleve “Kosova A” dhe “B” pritet që të rinovohen deri në vitin 2024. Kjo parashihet në draft-strategjinë që ka dalë në konsultime publike, e cila nuk përjashton edhe opsionet e ndërtimit të sistemit të gazit. Në të parashihet shtimi i kapaciteteve të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Rinovim të dy njësive të termocentralit “Kosova B” dhe së paku i një njësie të termocentralit “Kosova A” deri në vitin 2024 parasheh Draftstrategjia për energji 2022-2031.
Drafti që ka dalë në konsultime publike të martën nuk përjashton opsionet e ndërtimit të rrjetit të gazit nëpërmjet Maqedonisë së Veriut ose Shqipërisë.
Opsionet për ndërtimin e një sistemi me bazë gazi natyror në Kosovë janë duke u analizuar në Master Planin e gazit dhe në studimin e fizibilitetit për tubacionin e interkoneksionit të gazit në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media ka thënë se strategjia parasheh rritjen e kapaciteteve të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
“Strategjia paraqet rrugën tonë që do të ndjekim në dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Një njësi e Termocentralit A do të rivitalizohet dhe për këtë do të hapen sa më shpejt procedurat. Për herë të parë përmes kësaj strategjie, brenda tre vjetëve do të arrijmë 500 megavat të energjisë së ripërtërishme duke shtuar prodhimin nga energjia solare. Integrimi i këtyre BRE do të bëhet përmes baterive”, ka thënë ajo.
Rizvanolli ka bërë të ditur se brenda tre vjetëve parashihet prodhimi i deri 500 megavatëve nga burimet e ripërtëritshme.
“Kjo do të arrihet duke shtuar kapacitetet e energjisë diellore dhe kjo do të thotë që, në vitin 2025 ne do të kemi dy herë më shumë kapacitete të burimeve të ripërtëritshme të energjisë krahasuar me atë që kemi pasur gjatë vitit 2021”, ka shtuar Rizvanolli.
Ministrja nuk ka përjashtuar mundësitë e reduktimeve të energjisë elektrike në rast të nevojës për import të energjisë, pas vendimit të gjykatave që pezulluan përkohësisht tarifat e reja të rrymës.
Ka paralajmëruar se brenda disa muajve do të fillojë faturimi në katër komunat veriore me shumicë serbe.
Draft-strategjia prej vetëm 43 faqesh ka 5 objektiva, me theks të veçantë dekarbonizimin dhe promovimin e burimeve të ripërtëritshme.