LAJMET E MBRËMJES

Kosova ia revokon shtetësinë pjesëtarit të MPB-së së Serbisë, i nis procedurat për dëbim

Policia i ka nisur procedurat për largimin me forcë nga territori i Kosovës të Nikolla Vujoviq, i cili në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe duke qenë shtetas i Kosovës, ka shërbyer si pjesëtar i inteligjencës në Policinë e Serbisë. E deri në dëbimin e tij, ai do të mbahet në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj. Të shtunën në kufirin me Serbinë janë ndaluar tre zyrtarë të MPB-së së Serbisë dhe një oficer i pensionuar

Autoritetet e Kosovës ia kanë revokuar shtetësinë Nikolla Vujoviqit, me arsyen se ai përbën kërcënim për sigurinë kombëtare. Po ashtu institucionet kanë nisur procedurat për largimin e tij me forcë nga territori i shtetit.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Vujoviqi që deri të shtunën ka qenë shtetas edhe i Kosovës edhe i Serbisë, shërben si pjesëtar i inteligjencës në Policinë e Serbisë. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se Serbia ka punësuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe të inteligjencës, në atë që është në kundërshtim me ligjet e Kosovës. Ai theksoi se adresimi institucional i rasteve të tilla është domosdoshmëri, për shkak të qëllimeve agresive të Serbisë.

“Bazuar në legjislacionin tonë përkatës për shtetësi, aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, sot kam marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujoviq, për rrezikim të sigurisë sonë kombëtare, si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”, ka shkruar Sveçla në njoftimin që bëri në Facebook.

Pas këtij njoftimi, në Polici bënë të ditur se janë nisur procedurat për largimin e Vujoviqit me forcë nga Kosova. Deri atëherë, ai do të mbahet në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj.

“Ndaj personit në fjalë është duke u zhvilluar procedura bazuar në ligjet që rregullojnë këtë çështje dhe lidhur me këtë ka lëshuar vendimin për largim me forcë të personit N.V., nga territori i Republikës së Kosovës. Deri në përfundim të këtyre procedurave, në përmbushje të kushteve për ekzekutimin e vendimit, personit në fjalë i është shqiptuar masa e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj”, kanë thënë në Policinë e Kosovës.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, bëri thirrje që institucionet të jenë vigjilente tek tha se persona të tillë mund të jenë me detyra të veçanta nga Serbia.

“Është një indikator që ky rast nuk është i izoluar, mund të ketë raste të tjera. Prandaj, shteti ynë duhet të jetë shumë vigjilent. Duhet të ketë një vigjilencë proaktive, sepse mund të bëhet vonë nëse nuk identifikohen me kohë këta qytetarë, të cilët mund të jenë me detyra specifike në kuptim të minimit të situatës së sigurisë në Republikën e Kosovës”, është shprehur Hoxha.

Krahas marrjes së shtetësisë, ai thekson se ndaj tyre duhen ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore.

“Ndoshta jo vetëm marrja e shtetësisë por duhet të ndërmerren edhe veprime të tjera hetimore të këtyre rasteve të cilat mund të jenë fatale për sigurinë në Republikën e Kosovës, duke e minuar rendin kushtetues të vendit, siç fatkeqësisht kemi parë përpjekje të materializuara në vitet e fundit siç është rasti Banjska, rasti Ibër-Lepenc e tensione të ndryshme në veri të vendit”, ka shtuar Hoxha.

Gjatë së shtunës, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë u ankua se Kosova ka arrestuar tre zyrtarë të MPB-së serbe të moshave 26, 28 dhe 36 vjeç, dhe një oficer të pensionuar 53-vjeçar.

“Të gjithë ata, së bashku me familjet, jetojnë prej vitesh në mënyrë paqësore në ‘Kosovë dhe Metohi’ dhe detyrat i kryejnë në drejtoritë policore në territorin e Serbisë qendrore. Aktualisht ndodhen në paraburgim”, kanë thënë në Zyrën për Kosovën.

Në Policinë e Kosovës dhe në Ministrinë e Brendshme nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë.