Në përkujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit të 2001-tës në Shtetet e Bashkuara, udhëheqës institucionalë kanë bërë homazhe pranë pllakës përkujtimore në oborrin e Kuvendit. Me anë të vendosjes së kurorave me lule, ata i kanë nderuar jetët e humbura dhe e kanë riafirmuar angazhimin e Kosovës për të qëndruar pranë SHBA-së në luftën kundër terrorizmit
Kosova ka qëndruar dhe do të qëndrojë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përpjekjen e përbashkët për ta luftuar dhe për ta parandaluar terrorizmin kudo që ai ndodh, ka thënë presidentja Vjosa Osmani të enjten, në ditën e shënimit të 24-vjetorit të sulmit terrorist në New York.
Për t’i kujtuar rreth 3 mijë viktimat e sulmit të 11 shtatorit të 2001-tës, që organizata terroriste e Osama bin Ladenit, Al-Qaeda, e ka kryer në dy Kullat Binjake të Organizatës Botërore të Tregtisë, Osmani bashkë me liderë të tjerë institucionalë kanë vendosur kurora lulesh pranë pllakës përkujtimore të vendosur në oborrin e objektit të Kuvendit në nderim të viktimave.
Me këtë rast, Osmani e ka kualifikuar sulmin më të madh terrorist ndaj SHBA-së si ditën kur bota është ndarë në dysh.
“Në atë ditë bota u nda në dysh. Në ata që thellësisht besojnë në vlerat e lirisë, vlerat e humanizmit dhe qëndrojnë bashkërisht në mbrojtje të këtyre vlerave dhe në luftim të terrorizmit. Dhe pjesa tjetër ishin ata që besojnë në terrorizëm dhe shfrytëzojnë dashakeqësinë e terrorizmit për të shkaktuar dhimbje tek të tjerët. Kosova me krenari ka qëndruar dhe qëndron me SHBA-në, jo vetëm në kujtim dhe nderim të viktimave por për ta luftuar në mënyrë efektive të pandalur terrorizmin kudo që ndodh ai”, ka theksuar Osmani.
E kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka thënë se akti terrorist i 11 shtatorit të 2001-tës e shënon sulmin më të madh kundër vlerave të lirisë dhe demokracisë.
“Populli ynë shqiptar gjendet krah popullit amerikan dhe jemi shumë mirënjohës dhe solidarizohemi me ta në këtë ditë të vështirë, ku 24 vjet më herët rreth 3 mijë viktima që pësuan me humbje jete, ndër ta kanë qenë edhe 3 shqiptarë. Ne qëndrojmë krahas vlerave të përbashkëta që i ndajmë me popullin amerikan për lirinë dhe demokraci dhe çfarëdo terrori që i kundërshton këto vlera”, ka theksuar ai.
Albin Kurti, kryeministër në detyrë, ka theksuar se sulmi në SHBA ka shërbyer edhe si paralajmërim për rreziqet e mëdha që mund ta shoqërojnë këtë shekull.
“Ata të cilët janë gjithashtu viktima të këtij sulmi mizor terrorist, i cili i ndryshoi edhe marrëdhëniet ndërkombëtare, por njëkohësisht edhe paralajmëroi rreziqet e mëdha që na presin në këtë shekull. Sot nuk janë vetëm aktorët parashtetërorë, por edhe shtete të cilat ushtrojnë terrorizëm Ne kemi pasur rastin në Kosovë, ku strukturat e caktuara ilegale të udhëhequra nga Beogradi zyrtar kanë zhvilluar aksione terroriste në vendin tonë”, ka thënë Kurti.
Më 11 shtator 2001, katër aeroplanë pasagjerësh në SHBA janë rrëmbyer nga pjesëtarë të organizatës terroriste “Al-Qaeda”. Dy prej aeroplanëve janë përplasur në dy Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Manhattan të New York; një në afërsi të objektit të Pentagon, ku është edhe selia e Departamentit amerikan të Mbrojtjes, ndërsa aeroplani i katërt nuk ka arritur ta godasë objektivin, i cili dyshohej të ketë qenë objekti i Capitolit apo Shtëpia e Bardhë.
Në këtë sulm kanë vdekur afro 3 mijë njerëz.