Vendimi për heqjen e tarifës për hyrjen në Kosovë të mallrave me origjinë nga Shtetet e Bashkuara është marrë të premten nga Qeveria në detyrë, rreth katër muaj pas kërkesës për këtë, të cilën e ka bërë presidentja Vjosa Osmani dhe pas tarifës prej 10 për qind që presidenti amerikan, Donald Trump, e ka vendosur. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka quajtur vendimin shumë të rëndësishëm. Atë e kanë mirëpritur edhe presidentja Osmani, Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) si dhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK)
Produktet me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë liruar nga tarifat doganore për të hyrë në Kosovë.
Vendimi është marrë të premten nga Qeveria në detyrë, rreth katër muaj pas kërkesës për këtë, të cilën e ka bërë presidentja Vjosa Osmani dhe pas tarifës prej 10 për qind që presidenti amerikan, Donald Trump, e ka vendosur.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vendimin e ka quajtur shumë të rëndësishëm.
“Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm që kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar, si dhe në shtimin e investimeve. Ky është një hap i radhës që i dëshmon marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve tona dhe njëkohësisht e tregon përkushtimin dhe vendosmërinë tonë për ta pasur një marrëveshje për tregti të lirë me SHBA-në”, ka thënë ai.
Të mirat e heqjes së tarifës doganore ndaj SHBA-së i kanë listuar edhe dy ministre të Qeverisë në detyrë.
Donika Gërvalla, ministre në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka thënë se gjatë katër vjetëve të fundit marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë arritur transformim substancial në funksion të forcimit të të marrëdhënieve bilaterale, e veçmas në fushën e sigurisë dhe në diplomaci.
“Këtë vendim e shohim në vazhdimësi të politikave të pandara të vendit tonë me SHBA-në, jo vetëm në forcimin e miqësisë por në krijimin dhe forcimin e një partneriteti të mirëfilltë me shtetin, i cili ka qenë përkrahës gjithmonë, në të gjitha temat që kanë të bëjnë me shtetësinë tonë”, ka thënë ajo.
Kurse, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka theksuar se vendimi për heqjen e tarifës ndaj SHBA-së i hap rrugë inicimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.
Këtë vendim e ka mirëpritur edhe presidentja Osmani. Ajo ka thënë se Kosova është vendi i parë që e ka propozuar heqjen e “të gjitha barrierave”.
“Që nga sot, hyn në fuqi vendimi i Kosovës për një tarifë ZERO për të gjitha mallrat amerikane. Jemi krenarë që kemi qenë vendi i parë që e propozoi heqjen e të gjitha barrierave ndaj aleatit tonë më strategjik. Për presidentin Donald Trump dhe popullin amerikan: Kosova është partneri juaj i besueshëm në përpjekjet tuaja për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë”, ka shkruar ajo në platformën “X”.
E, në një reagim të Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK) është thënë se me këtë vendim pasqyrohet demonstrimi i shtetit për ta avancuar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në.
“Kjo masë e hap rrugën për rritjen e flukseve tregtare, shkëmbimin teknologjik dhe investimet në sektorët kryesorë, të cilat do t’i përfitojnë ekonomitë e të dyja vendeve”, kanë thënë në OEAK.
Vendimi është mirëpritur edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).
“Ky vendim, i marrë sot, do të mundësojë rritjen e shkëmbimeve tregtare, tërheqjen e më shumë investimeve amerikane në Kosovë dhe anasjelltas, por mbi të gjitha, dëshmon miqësinë e sinqertë dhe të përhershme që ekziston mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne kërkojmë që hapi i radhës të jetë njohja e statusit të privilegjuar për çdo investitor amerikan në Kosovë”, thuhet në reagimin e OEK-ut.
Vendimi për heqjen e tarifave është marrë në ditën kur presidenti amerikan i ka prezantuar tarifat e reja ndaj 69 shteteve, me të cilat bën tregti SHBA-ja. Në vendimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë është bërë e ditur se mallrat e çdo vendi partner tregtar që nuk përfshihen në aneksin e urdhrit, do të jenë subjekt i taksës prej 10 për qind bazuar në urdhrin ekzekutiv të prillit.
Në këtë urdhër, Kosova u pati goditur me tarifë reciproke prej 10 për qind, sikurse Shqipëria dhe Mali i Zi.
E me vendimin e ri për tarifat, i cili do të nisë së zbatuari nga 7 gushti, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë goditur me tarifa më të larta: Maqedonia e Veriut me 15 për qind, Bosnjë-Hercegovina me 30 për qind dhe Serbia me 35 për qind.
Bazuar në të dhënat e mëhershme të prezantuara nga Dogana, vlera e eksporteve të përgjithshme të Kosovës në SHBA në vitin 2019 ka qenë tre milionë euro, ndërsa tre vjet më vonë, më 2022, ka arritur në mbi 131 milionë. Produktet që i eksporton Kosova në SHBA-ja përfshijnë ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, por dhe prodhime nga druri dhe plastika. E sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave (ASK) për muajin qershor të 2025-s, produktet e importuara nga SHBA-ja përbëjnë më pak se 1 për qind të importit në Kosovë.